Sport

Boksieri Beqiri tërhiqet nga ndeshja, shkak arbitrimi i njëanshëm

Gazeta Si – Diçka e pazakontë ka ndodhur në Lojërat Mesdhetare me sportistët kuqezi. Boksieri Alban Beqiri është tërhequr nga ndeshja çerekfinale ndaj algjerianit Jugurtha Ait-Beka për shkak të gjykimit.

Ishte një ndeshje e rëndësishme, nga e cila fituesi do të siguronte medaljen në Lojërat Mesdhetare. Rregullorja është e tillë, që kalimi në gjysmëfinale të jep minimalisht medaljen e bronzit.

Moment nga ndeshja mes Beqirit dhe boksierit algjerian. Gazeta Si, 30 qershor 2022

Ndeshja e Beqirit pati polemika të forta. Boksieri kuqezi dhe trajnerët e tij kanë pretenduar se arbitrimi ishte i njëanshëm, në favor të boksierit algjerian.

Arbitrat i dhanë fitoren boksierit vendës për dy raundet e para dhe në atë moment trajnerët Zef Gjoni dhe Renato Kurti vendosën që Beqiri të tërhiqej. Një vendim ky në shenjë proteste për padrejtësinë e arbitrimit.

Alban Beqiri fitoi ndeshjen e parë në Lojërat Mesdhetare ndaj një boksieri turk, por është ndalur në çerekfinale për shkak të këtij episodi. Boksieri shqiptar kishte shpresa të mëdha të merrte medalje në këtë aktivitet.

Shqipëria ka fituar deri tani dy medalje në Lojërat Mesdhetare. Të dyja në boks, një ari nga Abakarov dhe një bronzi nga Dudaev.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë