Sport

Boksieri francez proteston ndaj arbirit: Fitova unë, nuk lëviz nga ringu

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë një ndeshjeje boksi të peshave të rënda në Tokio. Mourad Aliev, boksieri francez i kategorisë +91, u skualifikua nga arbitri për goditje me kokë ndaj kundërshtarit, britanikut Frazer Clarke, por ai nuk ishte aspak dakord me këtë vendim dhe ka protestuar, duke qëndruar në ring.

Gjatë ndeshjes çerekfinale, Clarke është mjekuar dy herë në vetullën e majtë. Pas herës së dytë, arbitri mori vendimin, që më pas u zyrtarizua nga spikeri. Në këtë moment francezi nisi protestën, duke akuzuar arbitrin. “Është e padrejtë, të gjithë e panë që fitova unë”, – bërtiste Aliev para telekamerave. Më pas u ul në anë të ringut. Të kota edhe tentativat e kundërshtarit për ta qetësuar.

Protesta e Aliev. Gazeta Si, 1 gusht 2021

“Ndjeva që më goditi me kokë. Nëse ishte e qëllimshme apo jo, nuk di ta them dhe nuk më takom mua ta bëj. I thashë që të qetësohej, sepse nuk po gjykonte me mendje. E di që është e vështirë, por më e mira që do të bënte ishte që të kthehej në dhomën e zhveshjes”, – ka thënë Clarke. Por Aliev nuk kishte ndërmend të ikte nga ringu.

I dhanë ujë, i folën si pjesëtarët e skuadrës së tij, ashtu edhe funksionarët olimpikë, por vetëm pas 30 minutash Aliev pranoi të kthehej në “Kokugikan Arena”. Por nuk përfundoi me kaq, sepse pas pak minutash francezi u rikthye për të vazhduar protestën, por, për fatin e tij të keq, ajo ishte ndeshja e fundit e ditës.

Aliev kunder arbitrit. Gazeta Si, 1 gusht 2021

Protesta më e famshme në boksin olimpik për një vendim të gjyqtarëve është ajo e Lojërave të 1988-ës në Seul, kur koreanojugori Byun Jung-il refuzoi të linte ringun, pasi u penalizua me 2 pikë për një goditje me kokë. Byun qëndroi në ring për më shumë se një orë, derisa organizatorët fikën dritat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë