Bota

Boris Johnson njofton sanksionet: Bankat kryesore ruse përjashtohen nga sistemi financiar i Britanisë, masa edhe për llogaritë bankare

Britania e Madhe do të vendosë paketën “më të madhe dhe më të ashpër” të sanksioneve ekonomike që Rusia “ka parë ndonjëherë”, tha të enjten në mbrëmje, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar i është drejtuar me nje fjalë Kuvendit ku tha se Mbretëria e Bashkuar do të bëjë “maksimumin” për të ofruar mbështetje për Ukrainën.

“The Guardian” shkruan se të gjitha bankat kryesore ruse do të përjashtohen nga sistemi financiar i Mbretërisë së Bashkuar dhe një ngrirje e plotë e aseteve po vendoset ndaj VBT, bankës së dytë më të madhe në Rusi.

Do të ketë kufizime në sasinë e parave që rusët mund të kenë në llogaritë bankare britanike, me ngrirje të aseteve të shtrira në rreth 100 persona të tjerë.

Linja ajrore Aeroflot do të ndalohet nga Britania e Madhe.

Brenda ditëve, Mbretëria e Bashkuar do të ndalojë eksportet e artikujve të teknologjisë së lartë dhe pajisjeve të rafinerisë së naftës, si dhe do të ndalojë kompanitë e mëdha ruse dhe shtetin të mbledhin financa ose të huazojnë para në tregjet e Mbretërisë së Bashkuar

“Masa të ngjashme do të vendosen në Bjellorusi”, shtoi Johnson.

Kryeministri britanik tha se Putin ishte “gjithmonë i vendosur për të sulmuar fqinjin e tij, pavarësisht se çfarë bënim”, duke shtuar:

“Putini do të qëndrojë i dënuar në sytë e botës dhe historisë”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë