Politike

‘Bosi i kokainës’, Çuçi kërkesë SPAK-ut për të hetuar deklaratën e Bashës

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme SPAK të hetojë mbi deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Kuvend një javë më parë, ku deklaroi se një person që merrej me trafik kokaine ka blerë një kat në kullën më të madhe në Tiranë.

SPAK ndërkohë e ka administruar letrën e Çuçit dhe po kryen verifikimet e nevojshme.

Lulzim Basha deklaroi gjatë seancës së të enjtes, 28 tetor 2021, se një bos kokaine ka rezervuar kat tek kulla më e lartë në Shqipëri dhe aludoi se kryeministrit këtë ia kanë thënë edhe ndërkombëtarët.

“Ajo që bëni ju ka lidhje vetëm me babëzinë për para dhe pushtet që ju ka zënë sytë. Kjo babëzi nuk ju pengoi ta ngrini kullën 50 kate me të gjithë bosët e kokainës. Mbase ta thonë se kush bos kokaine ka rezervuar çfarë kati në ndërtesën më të lartë në Shqipëri. Ti që na flet ne për shijen, për bukurinë, neve PD-së që na kanë quajtur si Partia më e bukur e lindjes, na flet që të mbajmë hundën me dorë. Sigurisht që do ta mbajmë hundën me dorë sepse kishe një gropë aty dhe 11 vite kryetar bashkie nuk e mbylle”, tha Basha në atë seancë.

Në letrën dërguar SPAK-ut, Çuçi shkruan se ajo e Bashës është deklaratë publike “shumë e rëndë, e cila cenon besimin e publikut tek institucionet tona”.

Sipas ministrit, referuar legjislacionit në fuqi, “përcaktohet se veprat penale të pretenduara në këtë deklaratë, janë pjesë e kompetencës lëndore të institucionit që Ju drejtoni”. 

“Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, si dhe në kuadër të misionit tonë të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar, më lejoni të përcjell kërkesën për verifikimin e kësaj deklarate dhe zbardhjen e plotë të çështjes”, – vijon letra e Çuçit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë