Bota

Bosi i “Ndrangheta”-s arrestohet në Brazil, ishte mes 10 të kërkuarve më të rrezikshëm

Një nga 10 personat më të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga Itali, është arrestuar në Brazil. Rocco Morabito është kapur nga autoritetet policore dhe duhet të vazhdojë të vuajë 30 vite burg, i dënuar për organizatë mafioze kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike.

Operacioni i policisë italiane u krye në bashkëpunim me policinë braziliane dhe mbështetjen e FBI-së e DEA-s të SHBA-ve.

Informacioni i siguruar nga autoritetet uruguajane ishte gjithashtu i rëndësishëm, pasi Morabito u arratis nga burgu i Montevideos në vitin 2019.

Bashkë me të është arrestuar edhe trafikanti i drogës, Vincenzo Pasquino, 35 vjeç, i cili kishte qenë në arrati të paktën që prej vitit 2019.

Të dy ishin përfshirë në listat e të arratisurve me rrezik maksimal dhe ishin midis 10 personave më të kërkuar në Itali. Dy të arrestuarit ishin pjesë e një prej klaneve më të njohura mafioze të Italisë.

Pasi u arratis nga Italia, Rocco Morabito u strehua në Amerikën Latine, ku vendosi marrëdhënie shumë të ngushta edhe me figura politike lokale.

Hetimet e Interpolit kishin çuar menjëherë pistën që të çonte në Brazil. Edhe këtu, Morabito gjeti mbështetje që favorizoi arratinë e tij, e cila u ndërpre një ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë