Pas tri ditësh shtyrje nga koha e keqe, ka nisur në Kortina të Italisë kampionati botëror i skive alpine 2021. Gara e parë ishte sllalloni supergjigant për femra, që është fituar nga Lara Gut-Behrami, me kohën 1:25.51. Edhe vendi i dytë është zënë nga një skiatore avicerane, Korin Suter (+0.34), ndërsa Mikaela Shifrin doli e treta (+0.47).
Lara Gut-Behrami, bashkëshortja e futbollistit shqiptar që luan për Zvicrën, Valon Behrami, ka marrë kështu medaljen e parë të artë pas 5 medaljeve botërore dhe një medaljeje olimpike. Në garën e parë zvicerania fitoi me meritë të plotë, duke e ndalur kronometrin në kohën 1:25.51. Zvicra nuk fitonte që prej Botërorit të zhvilluar në shtëpi, në Crans-Montana, në vitin 1987, kur Maria Valiser dilte kampione.

Në Kortina Zvicra ka bërë dopietë me Korine Suter, e dyta me 34 të qindtat më shumë se shoqja e skuadrës. Medalja e bronztë është fituar nga Mikaela Shifrin, e cila ishte afër medaljes së artë. Skiatorja amerikane ishte në një moment 36 të qindtat më mirë se Gut-Behrami, por u ndëshkua nga një gabim që i kushtoi një sekondë.
Dëshpërim edhe për çeken Ester Ledecka, jashtë podit për vetëm 6 të qindtat, pas një gabimi në pjesën e lartë. Edhe Kajsa Vikhof Lie krijoi idenë e medaljes, por e mbylli garën e pesta, me 65 të qindtat prapa fitueses. Nga skiatoret vendëse, Federika Brinjone u rendit e 10-a.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje