Politike

Replika në Kuvend/ Krifca: Platformë online për fermerët, Braçe: Bujku po falimenton, nuk shitet shalqiri me telefon 

Në një tjetër interpelancë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, deputeti i PS-së, Erion Brace, që në fillim të seancës parlamentare të së enjtes, tha se bujku sot po shtrydhet nga tregtari.

Braçe theksoi se ai është akuzuar si populist, dhe shtoI me nota ironike se me qëndrimet e tij mërziti dhe kolegët socialist Pandeli Majko dhe Antoneta Dhima, duke ndarë njerëzit e zakonshëm nga elita e bujqësisë.

“Kam bërë populistin kaq kohë kam mërzitur edhe Netën edhe Pandin, keq kam bërë. Vajta i ndava unë njerëzit e zakonshëm nga elita e bujqësisë, pastaj nxita mosbesim ndaj tyre, në fakt ata nuk i njeh kush aty ku janë fshehur.

Ngrita popullin e Bujqësisë nga kokëulur në fushëlartë, dy filamt e sotëm në facebook, duke ulur poshtë elitat fitimbërëse të tregtarëve. Bëra dhe më shumë kur nxita mosbesim ndaj rregullave të lojës, më keq akoma e solla në pozitë konfliktuale që ndan bujqit nga një grup tregtaresh të bërë bashkë në një kartel.

Kaq keq kam bërë, tani do bëhem realist. Deputeti ka si qëllim votën e drejtë dhe pa lekë që pranon situatën dhe gjendjen, më mirë dhe të flasë në rrethanat e çështjes.

Bujqësia po rritet normalisht, kjo nuk është normale është e jashtëzakonshme .

Ne po rritemi dhe kjo nuk ka ndodhur më para, rritja ekonomike e Bujqësisë për tremujorin e parë na e konfirmoi këtë”, tha Braçe.

Ndër radhe deputeti socialist nënvizoi se bujku është vetë populli.

“… Bujku është populli, bujku nuk ka për ta kuptuar kurrë se sa shitet produkti I tij, paratë e tij i merr prodhuesi, grumbulluesi, kjo është bujqësia që po vjen, e përqendruar te 200 sipërmarrës të mëdhenj që japin rroga minimale te bujku…”, tha Braçe.

Foto nga punimet e Kuvendit

“…Një ministër nuk mund të dijë gjithçka por një ministri duhet të dijë çdo gjë, territorin zhvillimet në të së pari dhe çdo detaj të kontratës së dyti.

Një ministri që nuk kontrollon territorin dhe kontratën për të ose është e mbushur me njerëz të painteresuar për punën, pa asnjë qëllim, pa asnjë ambicie, ose është e mbushur me dembelë

Unë dembelët nuk i kuptoj, nuk përshtatem dot me ta, me të thënë të drejtën nuk i duroj dot fare”, tha Braçe.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca në interpelancë me deputetin Erion Braçe në fjalën e saj është shprehur se nuk di nga ta kapë deklaratën e deputetit. Krifca prezantoi edhe platformën e re për fermerët  online falas. Ndërsa i sugjeroi Braces që duhet të vinte më parë ne zyrën e kësaj të fundit që të diskutonte mbi situatën e parashtruar nga deputeti socialist.

Krifca tha se skema e grumbulluesve e denoncuar nga Brace si abuzuese është promovuar nga ky i fundit kur ishte zv-kryeministër.

“Nuk kam asnjë kontratë të lidhur as nën tavolinë dhe as poshtë tavoline. Çdo kontratë është marrëdhënie juridike që përcakton detyrime ligjore për të zgjidhur problematikat. Nuk mund të zgjidhet me një vendim të thjeshtë për prishjen e kontratave. Ne duhet të bëjmë vendime të matura. Do i kisha mirëpritur nëse problemet me kontratat t’i kishit adresuar në zyrën time.

Do kisha qenë më eficente për gjetjen e zgjidhjes. Marrëdhënia grumbullues, tregtar dhe fermer është një marrëdhënie e shenjtë. Ju keni qenë zv/kryeministër dhe e keni promovuar këtë politikë me vendimet tuaja, Patjetër ka nevojë për shumë transparencë, por ne kemi në dispozicion vetëm instrumentet e tregut të lirë me përgjegjësinë për të ndihmuar konkurrencë të lirë në treg. Nuk mund të shkojmë kundra kësaj politike sot.

Mund të punojmë bashkarisht për ta përmirësuar aty ku ka vend. Për të nxitur më shumë transparencë. Por nga hiçi nuk i kthehemi dot kundër. Sepse ajo ka sjellë rezultatet që ne sot krenohemi. Nuk ndodh mrekullia nga hiçi. Por nga puna dhe nga ky zinxhir i krijuar bashkarisht”, tha Krifca.

“Ju kujtoj që unë nuk punoj në ministri, punoj në Parlament. Unë që të jeni e qetë, nuk do punoj asnjëherë në atë ministri. Patjetër që ndërtimi i rrjetit të grumbulluesve është një e mirë, por duhet të ishte e mirë publike dhe jo e drejtë private. Çmimi i shalqirit sot është më pak se një vit më parë. Bujqit i shihni në një varësi deri diku shkon në skllavëri. Karteli i grumbulluesve po I bën gjëmën bujqve. Tani duhet të rishikojmë kontratat me ta. Megjithë përmirësimet dixhitale që lajmëruat këtu, jemi në kushte primitive. Nuk shitet shalqiri me telefon. Mos i bëni këto me mesazhe, se ato vijnë te unë”, reagoi Braçe


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë