Politike

Braçe kundër propozimit të Denar Bibës si kryetar i Autoritetit të Konkurrencës/”Kam rezerva. Nuk e njeh fushën”

Propozimi i Denar Bibës nga Partia Socialiste si kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, u kundërshtua nga opozita dhe deputeti socialist Erion Braçe.

Gjatë mbledhjes së Komisionit ndërparlamentar dedikuar Ekonomisë dhe Financave, Braçe tha se Biba nuk e njeh fushën dhe për më tepër nuk ka merita në Partinë Socialiste.

“Mendimi im është që është gabim që zotëria nuk është këtu, që nuk vjen këtu, mbase edhe për fajin tonë që nuk e kemi kërkuar të vijë këtu. Kemi bërë gabim. Tani edhe për të shuar edhe ndonjë dilemë që kanë kolegët e opozitës. Denar Biba nuk ka qenë asnjëherë funksionar i PS-së që mos t’i japim merita që nuk i ka, nuk ka qenë as anëtar i PS-së e as deputet i saj as kryetar organizate.”

Deputeti socialist përmendi se detyra e kryetarit të Komisionit të Zgjedhjeve nuk është politike, është kushtetuese dhe ligjore, referuar pozicionit të mëhershëm të Bibës në KQZ. Braçe shtoi se mban rezerva për integritetin e të propozuarit për kryetar të AK-së, por pret “t’i shprehë përballë tij”.  

“Po zotëria ka qenë në një detyrë shtetërore përtej KQZ-së dhe në këtë detyrë unë kam rezervat e mia, jo vetëm për të por për të gjithë institucionin e Prokurimit Publik të asaj kohe që është shkarkuar i gjithi. Nga i pari tek i fundit. Për këtë do ishte mirë t’ja thoja në sy zotërisë. E dyta, për mua kandidatura e zotërisë, parantezë unë nuk e kam votuar as kur u bë anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, por kandidatura e tij ka tre probleme. Zotëria është pedagog shumë i mirë i të drejtës kushtetuese, është ekspert i asaj por në këtë lëmin për të cilin po e ngarkojmë me përgjegjësi, ashtu si në atë lëmin tjetër e Prokurimeve Publike që e ngarkuam me përgjegjësi, nuk ka ndonjë njohje. Kam parë botimet e tij dhe më vjen të them që me këtë fushë nuk ka lidhje. “

Deputeti opozitar Alfred Rushaj e ka kundërshtuar vendosjen e Denar Bibës në krye të AK-së, pasi sipas tij ka qenë personi i vetëm që ka mbajtur një pozicion të lartë shtetëror dhe është akuzuar nga një anëtar i Gjykatës së Strasburgut.

Denar Biba, ish-nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i shkarkuar në vitin 2020, është u vetmi kandidat për kreun e AK-së.

Gjatë vitit 2018, emri i Bibës u lakua lidhur me një audio-përgjim të publikuar me gjyqtarin Ledi Bianku, pjesë e Gjykatës së Strasburgut.

Denar Biba pritet të zëvendësojë Juliana Latifin. Komisioni nuk pranoi propozimin për të realizuar seancë dëgjimore dhe e kaloi kandidaturën e Denar Bibës për miratim në parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë