Gabriel Martineli, i datëlindjes 2001, është një talent i padiskutueshëm dhe të ardhmen e ka përpara. Sulmuesi është pjesë e Arsenalit dhe që tani ka filluar të bëjë gjëra të bukura. Ajo që nuk dihet për momentin lidhet me kombëtaren, me të cilën do të luajë Martineli. Derisa njëri mes Mançinit dhe Tite ta grumbullojnë dhe ta aktivizojnë, Italia dhe Brazili janë dy opsione të hapura.
Sulmuesi i ri është me kombësi braziliane, por ka edhe nënshtetësinë italiane. Zemra rreh për Brazilin në fakt, megjithatë pasaporta flet edhe italisht. Edhe vetë lojtari ka shpjeguar se përparësi për të ka Brazili, por gjithashtu ka pohuar se nëse Italia tregon më shumë interes, do t’i thoshte “po”. Kuptohet që ka një dilemë për ekipin kombëtar të talentit të Arsenalit. Për momentin, Mançini duhet të falënderojë Arsenalin, pasi klubi londinez ka marrë një vendim që e ka nervozuar jo pak sulmuesi dhe që në të ardhmen mund të ketë rëndësi.

Martineli ka thënë për “UOL Esporte” se klubi i tij nuk e ka lejuar të marrë pjesë në turneun paraolimpik me U-23-shin e Brazilit. Skuadra që drejtohet nga Silvinjo luan për të shkuar në “Tokio 2020” dhe ka dashur ta grumbullonte lojtarin e Arsenalit, që duket se ka qenë kundër. Martineli është i rëndësishëm për trajnerin Arteta dhe një mungesë e gjatë e sulmuesit, aq më tepër në një moment të vështirë si ky që po kalon Arsenali, do ta dëmtonte skuadrën. “Të varej nga unë, patjetër do të luaja, por do të krijoheshin probleme. Sapo kam nisur të luaj me Arsenalin dhe drejtuesit e tij preferuan të mos më lejojnë të largohem”, – ka thënë Martineli.
Edhe nëse do të luante me Brazilin U-23, përsëri Martineli do të kishte të drejtën të luante për Italinë në të ardhmen, por grumbullimi me “Selesaon” do ta forconte bindjen e tij për të qenë nën urdhrat e Tites. Zhuninjo Paulista, koordinatori i ekipeve kombëtare të Brazilit, i ka telefonuar Martinelit. “Ai më telefonoi dhe më përgëzoi për atë që po bëj. Më tha se ky ishte shansi i jetës dhe se çdo gjë do të shkonte mirë. Te kombëtarja e madhe nuk më kanë thirrur ende, por jam shumë i qetë për këtë pjesë”, – është shprehur Martineli. Mançini duhet të shpejtojë për ta thirrur tek Italia për ndeshjet e marsit me Anglinë dhe Gjermaninë. Aty do të kuptohet vendimi përfundimtar i djaloshit, për të cilin Jurgen Klop është shprehur: “është një nga ata talente që lindin një herë në 100 vjet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje