Federata Braziliane e Futbollit (CBF) ka vendosur të vërë rregulla për të kufizuar shkarkimin e trajnerëve nga klubet gjatë sezonit. Një vendim që vjen duke parë shkarkimet e shumta gjatë kampionatit, ngjashëm Shqipërisë, ku një skuadër mund të drejtohet edhe nga 4 trajnerë brenda një sezoni.
Sezonin e fundit në Brazil vetëm 3 skuadra nga 20 në total e mbyllën me të njëjtin trajner që kishin filluar atë. Në stolat e katër skuadrave që ranë nga kategoria, sipas të dhënave të evidentuara nga e përditshmja “Folha de S.Paulo”, janë ndryshuar të paktën tre trajnerë.

Përballë këtij fenomeni, Federata Braziliane e Futbollit nuk ka qëndruar indiferente dhe ka vendosur disa norma shtrënguese. Tani e tutje, një klub ka të drejtë të ndërrojë vetëm një trajner gjatë gjithë sezonit. Po ashtu, trajnerët që japin dorëheqjen, mund të firmosin vetëm me një klub tjetër gjatë kampionatit.
Nëse ndodh që një klub vendos të shkarkojë edhe një trajner të dytë, atëherë drejtimin e skuadrës mund ta marrë vetëm dikush që është i punësuar në klub të paktën prej 6 muajsh. “Ky është një hap përpara për futbollin brazilian dhe do të jetë pozitiv si për klubet, ashtu edhe për trajnerët”, – ka thënë Roxherio Kaboklo, presidenti i CBF-së.
Nga ky model brazilian mund të frymëzohet edhe Shqipëria, ku trajnerët mund ta gjejnë vetën pa punë edhe që pas javës së dytë të kampionatit, edhe pas një humbjeje në Kupë. Në Superiore ka ekipe që mund të ndërrojnë 3-4 trajnerë brenda sezonit dhe kuptohet që këto lëvizje të shpeshta në stol nuk mund të sjellin rezultate. Nëse edhe FSHF kopjon kolegët nga Brazili, mund të ndihmojë klubet tona të ecin përpara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje