Mbiemri Nashimento e lidh me të paharrueshmin Edson Arantes, me Pelenë, futbollistin brazilian më të madh të të gjitha kohërave. Por jo vetëm mbiemri, edhe talentin e ka të jashtëzakonshëm. Luan me të rinjtë e Botafogos, ku ka shënuar më shumë se 150 gola dhe me moshat e Seleçaos, por ende nuk ka debutuar me ekipin e parë.
Quhet Mateus Nashimento dhe është 16 vjeç. Klauzola e prishjes së kontratës për kalimin në një klub jashtë Brazilit është 50 milionë euro. Një shifër shumë e lartë për një 16-vjeçar, i cili në Brazil konsiderohet si Pele i ri. Kështu e përshkruan shtypi brazilian talentin Mateus, sulmuesin e Botafogos. Ai ka rënë në sy me më shumë se 150 gola të shënuar me të rinjtë dhe pret debutimin me skuadrën e parë, ku sapo ka firmosur një kontratë trevjeçare, maksimumi i lejuar nga rregullorja në Brazil.
Mateus është një lojtar që ka shkëlqyer edhe me moshat e Brazilit, ka fituar një kupë të Amerikës së Jugut me 15-vjeçarët dhe është i njohur në gjithë vendin. Në Rio de Zhaneiro janë të gjithë të bindur se e ardhmja e këtij sulmuesi është e ndritur. Tifozët mezi presin ta shohin me skuadrën e parë të Botafogos sapo të rifillojë kampionati, kur trajneri Paulo Autuori do ta ketë nën urdhrat e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje