Sport

Briken Calja fiton dy medalje në Rusi, shpallet nënkampion Europe

Dy medalje për peshëngritësin shqiptar, Briken Calja, në Europianin e Rusisë. Medalje argjendi në stilin e shtytjes dhe medalje bronzi në dygarësh për peshëngritësin që konkurron në kategorinë 73 kilogramë.

Ai ishte pa fat në stilin e shkëputjes, ku zuri vendin e katërt vetëm për shkak të peshës, duke qenë 100 gramë më i rëndë se peshëngritësi bullgar që zuri vendin e tretë. Të dy ngritën nga 152 kilogramë.

Flamujt e fituesve në ceremoninë e dygarëshit. Gazeta Si, 6 prill 2021

Në shtytje Calja e nisi me 183 kilogramë, por nuk ia doli në provën e parë, kurse në të dytën ai arriti të ngrinte 184 kilogramë. Në provën e tretë peshëngritësi ynë tentoi të ngrinte 4 kilogramë më shumë, 188 kilogramë, por nuk pati sukses për të ngritur shtangën lart. Gjithsesi, në këtë stol fitoi medaljen e argjendtë.

Në dygarësh peshëngritësi ynë u rendit i treti, duke marrë medaljen e bronztë, që nuk është se e ka kënaqur sa duhet, pasi pretendimet e tij ishin më të mëdha. Në momentin e dhënies së medaljeve, Calja nuk e fshehu dëshpërimin për faktin që nuk mundi të fitonte të artën në shtytje.

Pas garës, Briken Calja ka bërë një postim në faqen e tij në Facebook, ku shkruan: “Medalje argjendi në shtytje dhe bronzi në dygarësh në një kampionat super konkurues në Rusi! Në mes të Moskës, Briken Calja dhe peshëngritja shqiptare doli kokëlartë dhe krenar duke dridhur një Evropë të tërë. Jam shumë i lumtur që u rikthyem në këtë kampionat direkt me medalje dhe arritëm një sukses mëse të merituar.

Briken Calja. Gazeta Si, 6 prill 2021

Për vitin e 5-të rresht vazhdoj të sjell medalje për Shqipërinë pavarësisht ulje ngritjeve. Vazhdimësia është gjëja kryesore për një sportist dhe për këtë emri im do të mbahet mend gjatë. Ju falenderoj të gjithëve për mbështjetjen! Do të vazhdojmë përpara me punë të palodhur drejt objektivave të radhës. Sukseset më të mëdha do të jenë ato të radhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë