Bota

Britania do të dërgojë armë anti-tank dhe kundërajror në Kiev me vlerë 100 mln stërlina

Gazeta Si – Qeveria e Boris Johnson do të dërgojë në Kiev armë të reja antitank dhe kundërajrore me vlerë 100 milionë stërlina. Vendimi u mor në përgjigje të sulmit, që i atribuohet forcave ruse, kundër stacionit Kramatorsk në Ukrainën lindore. Këtë e tha vetë kryeministri britanik pas një samiti në Londër me kancelarin gjerman Olaf Scholz, duke e quajtur sulmin një dëshmi të “greminës” në të cilën ra Putin.

Boris Johnson, gjatë samitit me Scholz, kujtoi se si Britania e Madhe dhe Gjermania kanë kontribuar tashmë, në bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët e tjerë në furnizimin me “armë mbrojtëse” në Ukrainë në javët e fundit dhe se Mbretëria e Bashkuar sapo ka kryesuar një konferencë të vendeve donatore që kanë mbledhur 2.5 miliardë paund për të financuar 1.5 milionë komplete ushtarake që do të dërgohen në Kiev.

Ndihma të cilave Londra i shton sot njoftimin e një hapi të mëtejshëm cilësor dhe dërgimin e pajisjeve luftarake me vlerë 100 milionë paund shtesë, duke përfshirë raketat e reja portative kundërajrore “Starstreak” (më moderne dhe efektive se amerikanet ‘Stingers’), të “800 raketave të tjera anti-tank dhe municione me precizion”, si dhe helmeta, syze nate, uniforma mbrojtëse antiplumb dhe materiale të tjera jo vdekjeprurëse.

Furnizime të rëndësishme, por jo të mjaftueshme, këmbënguli ndërkohë Johnson me kancelarin gjerman në krah të tij. “Olaf dhe unë pajtohemi, – theksoi ai, – që dy vendet dhe aleatët tanë duhet të bëjnë edhe më shumë dhe t’i ofrojnë më shumë ndihmë Ukrainës”.

Sipas tij, bëhet fjalë për një hap vendimtar, në një skenar në të cilin, “Evropa që e njihnim deri 6 javë më pare, nuk ekziston më: pushtimi i Putinit ka sulmuar vetë themelet e sigurisë së kontinentit tonë”.

“Me ripozicionimin e forcave ruse për fazën tjetër të luftës, unë i kam drejtuar administratës sime që të mos kursejë asnjë përpjekje për të identifikuar dhe furnizuar forcat ukrainase me armët që kanë dhe duhet të mbrojnë vendin e tyre”, – deklaroi presidenti amerikan, Joe Biden.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, shtoi se “që nga fillimi i administratës sime, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë prioritet dërgimin e pajisjeve ushtarake në Ukrainë për t’u mbrojtur nga Rusia”.

Biden tha se “dua të falënderoj Sllovakinë për furnizimin e Kievit me sistemin S-300. Për të lejuar këtë transferim dhe për të garantuar sigurinë, Shtetet e Bashkuara do të ripozicionojnë një system raketor ‘Patriot’ në Sllovaki”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë