Ftesa e parë nga ekipi i parë i Çelsit për sulmuesin Armando Broja. Dhe jo për një ndeshje të zakonshme, por ndaj Liverpulit, një sfidë kjo e vlefshme për fazën e 1/8-ve të FA Cup. Thjesht prania në stol është një moment i paharrueshëm për futbollistin e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, që është edhe në planet e trajnerit Edi Reja për miqësoret me Slloveninë dhe San Marinon. Nëse arrin të luajë qoftë edhe pak minuta ndaj Liverpulit, atëherë do të jetë “qershia mbi tortë”.
Trajneri i Çelsit, Frenk Lampard, ka vendosur të grumbullojë Armando Brojën dhe Tino Anjorin për ndeshjen me Liverpulin në “Stamford Bridge”, pasi ka shumë mungesa. Kalum Hudson-Odoi, N’Golo Kante, Kristian Pulisiç dhe Tami Abraham janë të gjithë të dëmtuar dhe trajneri Lampard i ka kthyer sytë nga të rinjtë e akademisë. Disa prej tyre ua ka dhënë shansin këtë sezon dhe tani duket se është radha e Brojës.

Sulmuesi i ri me origjinë nga Malësia e Madhe ka treguar një formë shumë të mirë këtë sezon, ku ka realizuar 9 gola. Ai nuk luajti me Çelsin U-23 mbrëmjen e së hënës ndaj Evertonit, ku blutë londinezë fituan 1-0. Broja firmosi pak kohë më parë kontratën e parë si profesionist me Çelsin, drejtuesit e të cilit e shohin futbollistin shtatlartë si një nga elementët me të ardhme të sigurt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje