Republika e Shqipërisë shpall “non grata” 52 shtetas grekë pas shfaqjeve ekstremiste dje gjatë ceremonisë mortore të Kostandinos Kaçifas. Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, zv/ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi u shpreh se personat e shpallur të padëshiruar kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare. Ai theksoi se askush nuk mund të tallet me respektin dhe urtësinë e popullit shqiptar.
Kjo është hera e parë kur shteti shqiptar merr një vendim kaq të ashpër ndaj shtetasve grekë, që u shqiptua nga goja e një gjenerali, i cili mban kompetencat e ministrit të Brendshëm.
“Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, në plotësim të përgjegjësive kushtetuese, atyre ligjore si dhe të përcaktimeve të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare, bazuar në nenin 9 të Ligjit nr. 108/2013, “Për të huajt”, i ndryshuar; në mbrojtje të interesave të rëndësishme shtetërore që lidhen me sigurinë kombëtare; në funksion të ruajtjes së pacenuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe konkretisht të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Greqisë; e angazhuar për të mbrojtur e garantuar në çdo aspekt të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe praninë e çmuar, historikisht harmonike të këtij minoriteti në gjirin e familjes shqiptare; e ndërgjegjshme për historinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve si kombe me përkatësi dhe përgjegjësi të rëndësishme për familjen e kombeve evropiane; duke e konsideruar të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të pa tolerueshme ekstremizmi, ka vendosur:
Shpalljen persona të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi. Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj. Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”, u shpreh Lleshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje