Bullgaria ka njoftuar se do të forcojë kufirin e saj me Greqinë dhe Turqinë, për shkak të shqetësimeve në rritje në Evropë për një fluks emigrantësh nga Afganistani.
Marrja e kontrollit të Afganistanit nga talibanët ngjalli frikën për një përsëritje të krizës së vitit 2015, kur më shumë se 1 milion njerëz që iknin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, arritën në Europë.
Shumë prej tyre kaluan nga Turqia dhe morën të ashtuquajturën rrugë ballkanike për të hyrë në vendet më të pasura të BE-së.
“Presioni mbi kufirin bullgar po rritet, gjë që kërkon nga Qeveria të veprojë”, tha ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Georgi Panayotov.
Bullgaria do të shpërndajë në kufi 400 deri në 700 ushtarë.
Panayotov tha se ata do të jenë në dispozicion për të ndihmuar policinë për “ndërtimin e barrierave për vëzhgimin e kufirit ”.
Për çështjen e emigrantëve afganë, presidenca sllovene e Bashkimit Europian njoftoi se një takim urgjent i ministrave të Brendshëm të bllokut do të mbahet në Bruksel, më 31 gusht.
Turqia, e cila nuk është anëtare e BE-së, është gjithashtu e shqetësuar për një valë të re migrimi në Evropë dhe ka filluar t’i koordinojë përgjigjet.
Turqia strehon gati 4 milionë refugjatë sirianë dhe 300,000 afganë, përveç migrantëve dhe refugjatëve nga pjesë të tjera të botës.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më 19 gusht se Turqia nuk e ka përgjegjësi të jetë “depo e refugjatëve në Evropë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje