Politike

Bundestagu mbështet 100 për qind negociatat, por Rama tregon se çfarë është vendimtare për integrimin

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Gjermani ku pati një sërë takimesh me drejtues dhe deputetë të të dyja kaheve të politikës gjermane, si nga SPD-ja në pushtet, ashtu edhe nga CDU-ja në opozitë.

Rama e cilësoi vizitën të suksesshme dhe shpresëdhënëse se në qershor Shqipëria do të marrë një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes vendit tonë dhe BE-së. Në intervistën e dhënë në përfundim të takimeve, Kryeministri ndau bindjen se në Gjermani nuk ka më asnjë mëdyshje nga klasa politike se data duhet të caktohet sa më parë.

“Kanë pasur skepticizëm (deputetë të CDU), patjetër kanë pasur arsyet e tyre për të mbajtur një pozicion me regjit, por për hir të vërtetës, pozicionimi i tyre sikundër ua thashë dhe sot, ka qenë një sfidë dhe një ndihmë në fund të fundit, sepse nëse sot ata janë 100% mbështetës, nëse sot CDU-ja e tëra, vetë kryetari i ri i CDU-së thotë se Shqipëria është një histori suksesi në këtë fazë, patjetër ka shumë gjëra për të bërë në faza të tjera”, tha Rama pas takimit që pati me kreun e ri të CDU, Friedrich Merz dhe deputetët Gunther Krichbaum dhe Johann Ëadephul.

Në fillim të qershor, para vendimmarrjes për çështjen e negociatave, rajoni do të vizitohet nga Kancelari gjerman, Olaf Scholz. Agjenda mbetet për t’u mësuar nëse në këtë vizitë do të përfshihet edhe Shqipëria.

Scholz e shprehu qartë publikisht se negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk duhet të zvarriten më dhe dy vendeve u duhet dhënë një datë. Për Ramën, vizita e Scholz dhe më parë ajo e Charles Michel nuk janë vendimtare përsa i përket integrimit.

“Vendimtare për Shqipërinë është të vazhdojë reformat, vendimtare për Shqipërinë janë operacionet si ky i sotmi i SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit që është në këndvështrimin tim dhe bazuar në gjithë diskutimet e bëra gjatë ditës së sotme në orët e lira me Tiranën, operacioni më domethënës e me rrezen më të gjerë në luftën kundër krimit të organizuar. Një operacion që meriton vërtetë fjalët më të mira të respektit e të inkurajimit për të gjithë ata që janë përshirë, që nga hetuesit e SPAK-ut e deri tek drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe një mbështetje e fortë për të vazhduar deri në fund në këtë rrugë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë