Çështja e fotos së famshme mes Edi Ramës si kryetar i PS dhe presidentit amerikan Barcak Obama 7 vite më parë është rikthyer sërish sot në vëmendjen e publikut, pas dënimit të një shtetasi amerikan.
William Argeros është dënuar me 4 muaj burg, pasi ka pranuar se në emër të tij janë depozituar në vitin 2012 plot 80 mijë dollarë në arkën e Barack Obamës, gjatë fushatës së këtij të fundit për një mandat të dytë presidencial.
Lajmi është bërë i ditur nga “Zëri i Amerikës”, i cili shkruan se paratë në fakt ishin depozituar si kontribut për Obamën, që ky i fundit të realizonte një foto me Edi Ramën, në atë kohë kandidat për kryeministër i Shqipërisë.
Ligji amerikan u ndalon shtetasve të huaj të japin kontribute për kandidatët federalë. Avokati John Azzarello, duke përfaqësuar zotin Argeros, tha se klienti i tij po vepronte në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama.
Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Kur akuzat u publikuan në vitin 2016, zyra e zotit Rama mohoi të ishte burim i kontributeve.
Me lot në sy, zoti Argeros i tha gjykatëses se “ndjehem i turpëruar dhe marr përsipër përgjegjësinë e plotë për çfarë kam bërë”.
Ai akuzohet nga Prokuroria Amerikane se e organizoi kontributin përmes një banori nga Nju Xhersi, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017.
Argeros kishte pranuar fajësinë në vitin 2016 për këtë çështje dhe për dëshmi të rrëme, duke u përballur me deri 24 muaj heqje lirie, në bazë të marrëveshjes së tij të pranimit të fajit.
Por, sipas VOA-s, gjykatësja, Madeline Cox Arleo, vuri në dukje mungesën e precedentëve paraprak penal të 61 vjeçarit dhe besimin se kontributi prej 80 mijë dollarësh nuk kishte për qëllim të ndikojë në zgjedhjet amerikane.
Zoti Argeros jetonte në Tampa të Floridës, në kohën kur u ngritën akuzat. Ai gjithashtu kaloi shumë vjet në Betlehem të Pennsylvanias, ku puna e tij përfshinte shërbimin në një bord këshillimor burgu dhe mbështetjen e riintegrimit të të burgosurve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje