Qeveria greke ka ashpërsuar masat parandaluese të përhapjes së Covid-19, duke zgjeruar hartën e qyteteve të vendosura në karantinë të plotë, edhe me Selanikun dhe Serresin, ndërsa në pjesën tjetër të vendit lëvizja është e ndaluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Vendimi i marrë ditën e hënë ka hyrë në fuqi menjëherë. Maskat janë bërë me detyrim mbajtjeje në çdo ambient, jashtë apo brenda qoftë. Gjimnazet dhe universitetet janë mbyllur dhe mësimi do të vijojë online. Mësimi në shkolla mbetet hapur vetëm për shkollat 9-vjeçare.
Rregullat përfshijnë edhe transportin. Autoveturat private dhe taksitë nuk mund të marrin më shumë se një pasagjer, ndërsa kur bëhet fjalë për fëmijë të vegjël prania e tij duhet të jetë e argumentuar.
Në Selanik dhe Serres ndalohet qëndrimi në ambientet publike, si parqe, rrugë apo sheshe. Dalja nga shtëpitë duhet të bëhet pas marrjes së lejes nga autoritetet përmes një mesazhi SMS. Lejohet dalja për arsye shëndetësore, për blerje ushqimesh, për lëvizje pune, që duhet të shoqërohet me një dokument nga punëdhënësi.
Kishat janë mbyllur dhe ritualet fetare duhet të kryhen pa praninë fizike të besimtarëve, ndërsa në ceremonitë e varrimeve nuk lejohen më shumë se 9 persona. Banorëve të Selanikut dhe Serresit u ndalohet që të lënë qytetet e tyre. Transporti me avionë, tren, autobus apo mjete të tjera është i ndaluar dhe dalja jashtë këtyre qyteteve bëhet vetëm për arsye madhore.
Masat e reja janë pritur me protesta në Selanik. Një grup të rinjsh u mblodhën për të kundërshtuar izolimin, por protesta u shpërnda me shpejtësi nga ana e policisë. Ndërkohë, Qeveria greke nuk e përjashton mundësinë e një mbylljeje të plotë të vendit, nëse shifrat e të infektuarve nuk bien në dy javët e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje