Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi sot me short 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Bëhet fjalë për gjyqtarët Sokol Ibi, Manjola Xhaxho, Edlira Petri, Emona Muçi, Asim Vokshi, Gentian Medja, Esmeralda Cika, Alma Kolgjoka.
Sipas ligjit, të shortuarit duhet të kenë kaluar vetingun me formë të prerë.
Anëtarët u përzgjodhën nga një listë e përbërë nga 16 gjyqtarë. Lista paraprake ishte e përbërë nga gjyqtarët Manjola Xhaxhi, Gentian Medja, Sokol Ibi, Klodiana Mema (Veizi), Enton Dhimitri, Alma Kolgjoka, Emona Muci, Eriol Roshi, Ornela Naqellari, Esmeralda Ceka (Xhilli) , Rexhep Bekteshi, Margarita Buhali, Ardian Dvorani, Asim Vokshi, Artur Kalaja, Edlira Petri.
Kolegji Zgjedhor Gjyqësor përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, nga radhët e gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses, me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, nga gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit të Republikës së Shqipërisë, gjykatat administrative të shkallës së parë dhe Gjykata Administrative e Apelit Tiranë. Përjashtohen nga shorti gjyqtarët e Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Sipas ligjit, shorti për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor hidhet jo më vonë se
48 orë nga data e përcaktimit të datës së zgjedhjeve me të afërta. Por meqë dje ishte zyrtarisht pushim, shorti është hedhur sot. Këshilli i Lartë Gjyqësor, brenda 24 orësh nga hedhja e shortit, miraton me vendim zgjedhjen e gjyqtarëve si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, të cilët delegohen në këtë detyrë me mandat 4-vjeçar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje