Politike

Celibashi: Partitë, jo arrogancë me paranë, të mos shpenzojnë pa limit në fushatë

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi zhvilloi një takim mbi platformën online ku partitë politike dhe kandidatët do të raportojnë të ardhurat dhe shpenzimet e tyre financiare. Celibashi tha se kjo platformë do të jetë një mundësi e mirë për KQZ që të kontrollojë financimin e partive politike, por gjithsesi vërejti se nuk është një proces shumë i thjeshtë.

“KQZ do të ketë një mundësi më të mirë për të bërë verifikime më të thelluara në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor mbi paratë e shpenzuara nga partitë politike dhe subjektet zgjedhore. Ky sistem është një mundësi shumë e mirë, e kam fjalën për shoqërinë civile, media por edhe të tjerë për të marrë informacion dhe nxjerrë konkluzione për të bërë vlerësime se çfarë përmbajnë të dhënat e grumbulluara përmes këtij sistemi.

Ne jemi vetëm në fillim të përdorimit të këtij sistemi dhe askush prej të gjithë përdoruesve nuk është familjarizuar plotësisht me këtë sistem, por  të paktën qoftë edhe formalisht nga pikëpamja e asaj që kishim objektiv e kemi realizuar qëllimin dhe synimi i partnerëve europianë ishte që ta kishim këtë projekt gati për këto zgjedhje dhe raportimi mbi financat e kësaj fushate të bëhet përmes kësaj platforme. Nuk është një proces shumë i thjeshtë”, tha Celibashi.

Në këtë proces, Celibashi garantoi seriozitetin e institucionit që ai drejton, ndërsa për partitë politike ai pati një mesazh.  

“… Nuk besoj se do jetë kaq e thjeshtë dhe do ketë kaq transparencë dhe mundësi për të bërë publike çdo abuzim, por mendoj se do jetë diçka ndryshe nga herët e tjera. Tej gjithë retorikës së ngarkuar politike që shoqëron fushatën zgjedhore, duket se ka një lloj kujdesi të paktën formalisht për tu përpjekur për t’i respektuar këto rregulla. Mund të bëjmë më shumë për t’i bërë të përmbajtura partitë politike që të mos demonstrojnë në mënyrë arrogante fuqinë e tyre dhe interesin e tyre për të shpenzuar para pa limit në fushatën zgjedhore”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë