Politike

Celibashi për procesin zgjedhor: KQZ njeh përgjegjësinë, 927 tentativa për votim të dyfishtë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirijan Celibashi në një komunikim për mediat i është përgjigjur deklaratës të PS, lidhur me mosfunksionimin e pajisjes elektronike pasi iu kërkua që institucioni të kërkojë ndjesë publike qytetarëve.

Celibashi tha se deklarata e PS mund të jetë dhe thirrje për ta tërhequr institucionin në një debat.

“Ka probleme por procesi mund të konsiderohet normal, duhet të presim përfundimin e procesit.

Ajo që konsiderohet si problematikë për pajisjet ka cenuar një interes themelor, patjetër që ne mund t’i themi njohim përgjegjësinë. Nëse kjo ka ndikuar tek qytetarët, e kemi kërkuar ndjesën. Nuk e di se çfarë kërkon pala, se çfarë duhej bërë ndryshe, apo kërkon ta tërheqë KQZ-në në një debat”, tha Celibashi.

Celibashi tha që në KQZ kanë mbërritur 29 denoncime, 4 janë nga subjektet politike, një nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe 24 nga qytetarë të ndryshëm. Po ashtu shtoi se ka pasur 927 tentativa për votim të dyfishtë.

Sipas tij, denoncimet kanë të bëjnë me votimet familjare, intimidimet apo edhe me mosfunksionimin e pajisjeve elektronike.

Gjithashtu kreu i KQZ tha se janë 9 qytete, ku janë shfaqur problematika.

“Në lidhje me denoncimet, në total deri tani në KQZ kemi 29 denoncime, të paktën zyrtarisht të prezantuara në mënyrë formale.

Janë 4 denoncime, 3 nga PS dhe një nga BF. PS ka dy denoncime për kandidatin për kryetar të bashkisë në Elbasan dhe një për kandidatin e ‘BF’ në Tiranë në dy raste për thyerje të heshtjes zgjedhore, për kandidatin në Elbasan dhe Tiranë.

Ka 1 denoncim në KQZ nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjatë shpërndarjes së materialeve zgjedhore. Janë edhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm.

Ndër të tjera nënkryetarja, Lealba Pelinku tha se KQZ është informuar lidhur me problematika dhe se nuk ka shqetësime lidhur me sigurinë e votës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë