Politike

Celibashi: Zero shanse që vota për një kandidat t’i shkojë kundërshtarit, identifikimi elektronik s’ka dështuar

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha përmes një konference për shtyp se  ka zero shanse që të devijohet vota përmes votimit elektronik, i pyetur nga mediat, mbi një denoncim të komisionerit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Elbasan i cili ka deklaruar se ka votuar për Luçiano Boçin dhe pajisja elektronike ia ka kaluar votën Gledian Llatjas.

Sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi ky fenomen ka “zero shanse” që të ndodhë.

“Probabiliteti është zero, nuk ka asnjë arsye pse të ndodhë që vota për një kandidat, shkon për një tjetër”, tha Celibashi.

Përtej disa problematikave në 502 qendra votimi të identifikimit elektronik, Celibashi tha se ky proces nuk ka dështuar. “Procesi i identifikimit biometrik nuk ka dështuar, rezulton deri tani se kjo problematike ka qënë në më pak se 10% të qendrave të votimit”, shtoi ai. 

Kryetari i Komisionit Qendror, Ilirjan Celibashi në deklaratën e tij për mediat për të dhënë një panoramë në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor sesi ka ecur deri më tani është shprehur se përveç disa problemeve gjërat kanë qenë të menaxhueshme.

Celibashi ka komentuar dhe raportimet e bëra nga Durrësi dhe nga Tiranë për prani të personave të paautorizuar nëpër disa qendra votimi. Ai është shprehur se çdo person që ka votuar dhe është i paautorizuar për të qëndruar aty duhet që të largohet, ndryshe të mbajë përgjegjësi. “Praninë e personave të pa autorizuar e cilësojmë si intimidim dhe presion ndaj votuesve. Ndaj autoritetet duke filluar nga policia ta adresojnë si shqetësim dhe të merren masat përkatëse. Është e papranueshme që qytetarët që nuk kanë lidhje me votimin apo me qendrat e votimit të qëndrojnë aty, nëse refuzojnë t’i përgjigjen këtij urdhri do të mbajë përgjegjësi. Kush ka votuar duhet të largohet”, tha Celibashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë