Pas tre vitesh, pritjeje, Shqipëria nis zyrtarisht këtë të martë në Bruksel procesin e negociatave me Bashkimin Europian, hapi i fundit para anëtarësimit, por edhe më i vështiri në këtë proces.
Nisjen e bisedimeve, Presidentja e KE, Ursula von der Leyen nuk e cilësoi një dhuratë të BE, por meritë të progresit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ky është suksesi juaj, i juaji si qeveri, i qytetarëve tuaj, i popullit tuaj që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht shumë përkushtim për vlerat tona. Keni treguar këmbëngulje, keni pasur besim tek procesi drejt BE-së, keni zbatuar shtetin ligjor, keni median e lirë, keni një shoqëri civile të gjallë dhe keni bërë shumë reforma dhe keni modernizuar ekonominë tuaj”, deklaroi ajo.
Von der Leyen, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, që i parapriu uljes në tryezën e bisedimeve. Në këtë konferencë, Presidentja e KE paralajmëroi se procesi i bisedimeve do të jetë i vështirë.
“Pas konferencës ndërqeveritare, Komisioni dhe ekipet negociuese do të fillojnë punën për shqyrtimin e legjislacionit europian dhe përafrimit të tij në dy vendet. Do të jetë hapi i parë dhe ky shqyrtim do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të dinë detyrimet mbi traktatet, mbi të gjitha marrëveshjet europiane”, tha ajo.
Progresi në bisedime, sipas Presidentes së KE-së do të shoqërohet me progres edhe në dy vendet kandidate.
“Do të ketë rritje të investimeve, do të ketë bashkëpunime të ndryshme në fusha kyçe si energjia dhe transporti. Ju do të maksimizoni impaktin e fondeve të BE-së që do të thotë punësime të reja, mundësi të reja e pikërisht për këtë kanë pritur kaq gjatë qytetarët tuaj dhe këtë meritojnë”, u shpreh ajo.
Edi Rama e nisi fjalën duke falenderuar ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila ka këtë të martë ditëlindjen. Falenderime i shkuan edhe Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe drejtuesve të tjerë të BE-së, por edhe qytetarëve shqiptarë, që sipas Ramës nuk e humbën durimin,
“Pas 3 vitesh kaq shumë të ndërlikuar ku refuzimet prej Këshillit te Europës nga njëra anë dhe tërmeti, pandemia, lufta nga ana tjetër, krijuan një situatë vërtet të vështirë, por na forcon më shumë seç ishim”, u shpreh Rama.
Edhe Kryeministri parashikoi një proces të gjatë e të vështirë bisedimesh.
“Ne e dimë që ky nuk është fillimi i fundit, por është fundi i fillimit, por situata është kjo që është dhe është mirë kështu siç është dhe ne thjesht na duhet të ngremë dhe ndërtojmë një Shqipëri europiane dhe të fortë dhe një Ballkan të Hapur perëndimor, të fortë dhe demokratik”, u shpreh ai.
Janë 35 kapituj që do të diskutohen mes Shqipërisë dhe BE-së, ku për secilin kapitull çdo vend anëtar do të duhet që të vlerësojë nëse është përmbushur apo jo. Kapitujt janë që nga drejtësia, mjedisi, të drejtat e njeriut, liria e medias e deri te minoritetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje