CIA ka synuar ta rrëmbejë dhe ndoshta të vrasë Julian Assange. Ky ishte plani i diskutuar nga administrata Trump në vitin 2017, kur themeluesi i Wikileaks ishte strehuar, duke kërkuar azil politik në ambasadën e Ekuadorit në Londër, Britani e Madhe. Lajmi u raportua nga “Yahoo News” dhe u ripublikua nga shumë media ndërkombëtare.
Ai që ka dashur një luftë totale kundër Assange, ishte mbi të gjitha Sekretari i atëhershëm i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, në qeverinë e administratës së drejtuar nga presidenti Donald Trump.
Dhe vetë Pompeo kishte qenë kreu i CIA-s dikur, e cila, për shkak të Wikileaks, kishte pësuar humbjen më të rëndë të të dhënave në historinë e saj.
Sipas hetimit, agjencia gjithashtu dyshohet se diskutoi vrasjen e Assange, por kishte shqetësime për pasojat e një akti të tillë midis “niveleve të larta” të administratës Trump.

Uashingtoni më pas u alarmua nga mundësia që inteligjenca ruse do të transportonte fshehurazi Assange nga Britania në Rusi.
Ndër skenarët e mundshëm, ishte një përleshje me armë zjarri me agjentët rusë në rrugët e Londrës, ose goditja e një automjeti, ku Assange do të ekzekutohej për të parandaluar largimin e tij, thuhet në raport. Assange u arrestua nga autoritetet britanike në prill 2019, pasi Ekuadori tërhoqi mbrojtjen e azilit për të.
Ai aktualisht po mbahet në burgun Belmarsh, Londër, me një gjykatës në Mbretërinë e Bashkuar që kishte refuzuar kërkesën e SHBA-ve për ekstradimin e tij në janar.
“Si një qytetar amerikan, më duket absolutisht skandaloze që qeveria jonë do të mendonte për rrëmbimin ose vrasjen e dikujt pa asnjë proces gjyqësor, thjesht sepse ai kishte publikuar informacione të vërteta,” tha Barry Pollack, avokati i Assange në SHBA, për “Yahoo News”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje