Futboll

Çështja “Hopp”, klubet gjermane u shpallin luftë ultrasve

Presidenti i Hofenheimit, Dietmar Hopp, është çështja e ditës në opinionin sportiv në Gjermani. Parullat fyese të ultrasve të Bajern Mynih kundër tij sollën ndërprerjen e ndeshjes ndaj Hofenheimit në fundin e saj. Një ditë më pas ndodhi e njëjta gjë në ndeshjen Union Berlin-Volfsburg. Drejtuesit e klubeve, me në krye ata të Bajernit, janë solidarizuar me Hopp, duke e quajtur të turpshme sjelljen e tifozëve të tyre ultras me banderolat e urrejtjes ndaj biznesmenit që e ngriti Hofenheimin në nivel elitar me investimet e tij.

Ka reaguar së fundi edhe vetë Dietmar Hopp: “Nuk e di çfarë duan nga mua këta idiotë”, – u shpreh për “Sport1” pronari i Hofenheimit, i cili nga viti 1995 ka shpenzuar rreth 800 milionë euro për projekte sportive, mjekësore (po investon edhe për ndërtimin e një instituti kardiologjik që do të hapet këtë vit), sociale dhe arsimore. Urrejtjen e ultrasve ai nuk arrin ta konceptojë, ashtu si edhe shumë njerëz të tjerë në Gjermani.

Parullat e ultrasve dnaj presidentit të Hofenheimit. Gazeta Si, 2 mars 2020

Gjatë një ndeshjeje basketbolli të Bajern Mynih, tifozët kanë shpalosur një parullë me anë të së cilës kritikonin ultrasit e grupimit “Schickeria” për koret fyese ndaj Hopp. “Zbavitje dhe mbështetje në vend të urrejtjes dhe ofendimeve”, – shkruanin ata. Mario Basler dhe Stefan Efenberg, dy legjenda të Bajernit, janë habitur nga kontrollet shumë sipërfaqësore të tifozëve në hyrjet e stadiumeve. Sipas tyre, është e patolerueshme që gjatë ndeshjes Union Berlin-Volfsburg tifozët futën në stadium një banderolë aq të madhe anti-Hopp.

Në situatën aktuale në Gjermani, shoqëria sportive dhe civile dhe opinioni publik po kundërshtojnë fort urrejtjen e ultrasve. Shalke, për shembull, me një njoftim në faqen e saj zyrtare, ka bërë të ditur se në rast parullash fyese, jo vetëm ndaj Hopp, skuadra do të lërë fushën, pavarësisht minutës së lojës, rezultatit dhe pasojave. Klubet gjermane janë gati ta luftojnë me çdo mjet urrejtjen që disa grupe ultrasish po manifestojnë kohët e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë