Pozicioni i Juventusit nuk ndryshon, por me kalimin e ditëve mund të merret si një mungesë vullneti për t’u kthyer në fushë së shpejti. Pikërisht këtë gjë la të kuptohej pak ditë më parë Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, i cili u shpreh se nuk e kuptonte pse nuk mbajnë qëndrim për rikthimin e futbollit klubet e mëdha, si Juventusi dhe Interi apo Milani.
Te Juventusi ka një çështje “Kristiano Ronaldo”. Sulmuesi ishte një nga të parët që lanë Italinë. Kanë kaluar 50 ditë nga ndeshja e fundit e Juventusit në kampionat, ajo ndaj Interit, e luajtur më 8 mars dhe pas saj, konkretisht më 11 mars, ai shkoi në Portugali, në ishullin e Madeiras, bashkë me familjen dhe personelin e shërbimit. Ronaldo dezertoi pikërisht ditën kur Rugani rezultoi pozitiv me Covid-19. Në atë kohë u vendos pezullimi i futbollit dhe klubi bardhezi bëri të ditur se Ronaldo do të qëndronte në Portugali, në pritje të zhvillimeve të tjera të lidhura me emergjencën shëndetësore. Zhvillime që për sulmuesin portugez nuk kanë ardhur akoma.
Kanë kaluar 50 ditë dhe situata nuk ka ndryshuar për mirë. Nuk është rastësi fakti që nga Spanja, ku është folur shumë mediatikisht për CR7, është mësuar lajmi për Paulo Dibalën se kishte rezultuar pozitiv edhe ndaj tamponit të katërt. Numri 10 i Juventusit është në fazën e shërimit, por testet e herëpashershme nuk po dalin ende negativë. Ka nga ata që mendojnë se ky mund të jetë një sinjal i fundit i ardhur nga njerëzit pranë Ronaldos se portugezi është mirë aty ku është dhe se nuk ka në plan të kthehet në Itali, të paktën për momentin. Derisa në Itali të fiksohet data e rifillimit të ndeshjeve dhe të ketë siguri, Ronaldo nuk do të kthehet. Dhe pa Ronaldon, Juventusi nuk ka pse të nxitojë për të rifilluar kampionatin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje