Sali Berisha i dha afat Lulzim Bashës 5 janarin si kohën limit që duhet të lirojë zyrat e partisë, me argumentin se, Basha është kryetar i shkarkuar.
Shumëkush ka drejtuar pyetjen se çfarë do të ndodhe me 6 Janar dhe më pas. Sepse Lulzim Basha e ka dhënë përgjigjen se nuk njeh si legjitime asnjë organ dhe për pasojë asnjë vendim të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
Bujar Nishani, ish-President i Republikës, ka deklaruar se situata do të jetë e paparashikueshme.
“Ne presim që deri më datën 5 situata të zgjidhet brenda sistemit. Nëse nuk zgjidhet, pra nëse Basha nuk largohet nga zyra më 5 janar, absolutisht është e paparashikueshme se çfarë mund të ndodhë. Unë e kam të vështirë të them se çfarë mund të ndodhë…”, tha Nishani në emisionin “Dekalog”.
I ngacmuar më shumë rreth një përgjigje më të saktë, Nishani nuk tha asgjë me shume përveçse ia la fatit kur tha se, “nuk e di”
Një ditë pas ftesës në emision, Nishani beri një postim të gjatë edhe në Facebook duke shpallur fajtor si Ramën ashtu edhe Bashën për situatën e krijuar dhe mënyrën se si reaguan pas publikimit të pagave
Sipas Nishanit, “deklarimi i rrogave gjigande, që në raport me ekonominë, tregun, qarkullimin financiar të realitetit shqiptar, tejkalojnë fantazinë në çdo shtet të pasur të botës, tregon se, rroga të tilla janë për të pastruar paratë e pista që futen në kontot bankare, por të fituara nga burime kriminale, kryesisht korrupsioni”.
“…As kryeministri i skandaleve dhe as çiraku i tij i gjoja-opozitës në parlament, nuk guxuan të denoncojnë skemën gjigande të pastrimit të parave.
Natyrisht halli personal i detyron të mos guxojnë të denoncojnë pastrimin e parave, në atë skemë të ngritur.
Por është detyra dhe përgjegjësia e Prokurorisë së Shtetit të mos shmanget nga detyra e saj parësore.
I bëj thirrje të hetojë me thellësinë maksimale (përveç të tjerave) krimin e pastrimit të parave dhe evazionin fiskal në objektin e shpërthimit të këtij skandali.
Një gjë është e sigurt në bindjen time.
Asnjë nga dimensionet e këtij skandali nuk do të kalohet lehtë, as do mundet të harrohet e as do të jetë selektive ligjbërja.
Kushdo që mendon se do ta mbajë Partinë Demokratike përjetë në opozitë dhe se Edi Rama do ti mbrojë aferat e tyre siç mbron aferat e tij, e ka GABIM !
Si këshillë për ta.
Rikthehuni pak në kujtesë se çfarë ndodhi në 2005-2009, me këdo nga ata që kishin shkelur ligjin dhe mendonin se nuk do të përballeshin kurrë me drejtësinë e vërtetë!”, shkruan Nishani
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje