Duke pasur parasysh ndryshimet e pasqyruara në trendin e votës dhe sjelljen e elektoratit më 25 prill të vitit të kaluar dhe situatën e re politike të krijuar pas çarjes së Partisë Demokratike, zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit po perceptohen si një “fitore në xhep” e Partisë Socialiste.
Ky perceptim mbështetet edhe nga analiza e votës së hedhur në 2015-n në këto bashki, ku shifrat sugjerojnë se mundësitë reale që opozita të sigurojë fitoren janë vetëm në Shkodër, ndërsa në të pestë bashkitë e tjera fitorja duket një mision i pamundur.
Në 2015-n, PS ishte në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, që në ato kohë përfaqësohej me 16 deputetë në Kuvend dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s kishte siguruar mbi 180 mijë vota.
Në zgjedhjet e 25 prillit pesha elektorale e LSI u tkurr, duke marrë si subjekt pak më shumë se 100 mijë vota. Megjithatë, votat e saj në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit mund të rezultojë vendimtare për kandidatët, të paktën në Shkodër, ndërsa në pesë bashkitë e tjerë në mes janë edhe votat e partive të tjera si PDIU apo PR, që në 2015 kanë marrë mbështetje jo të papërfillshme në Dibër e Vorë.
Duke marrë në konsideratë faktorin “çarje” të votës së PD-së, më poshtë gazetasi.al sjell orientimin e mundshëm të votës më 6 mars në krahasim me votat e marra nga PS, PD e LSI në zgjedhjet vendore të 2015-s.
Lushnja – Vota gjithsej 47,891 në 2015
Fatos Tushe, që mbështetej nga PS e LSI mori 25 mijë e 34 vota, ndërsa kandidati i PD-së, 22 mijë e 857 vota. Diferenca mes kandidatëve është e ulët. Por, te vota partiake PS ka një avantazh të theksuar ndaj PD-së dhe LSI-së. PS ka marrë rreth 15 mijë vota në 2015, PD rreth 10 mijë dhe LSI rreth 9300 vota. Këtu, vota e LSI-së e bashkuar me PD-në tejkalon atë të PS-së. Por, ndarja e votës së elektoratit të PD-së dhe orientimi i votës së aleatëve të PS-së drejt kandidates socialiste janë faktorë që mund të kompensojnë votën e LSI-së.
Durrës – Vota gjithsej 98,234 në 2015
Këtu, PS e LSI shtatë vite më parë kanë marrë rreth 56 mijë vota së bashku, ndërsa PD me aleatët e saj rreth 42.2 mijë. PS vetëm ka marrë 27 mijë e 600 vota, PD, 25 mijë e 400. LSI siguroi 22 mijë e 400. Por, në 2015 në ato zgjedhje fushatë për LSI-në bëri Lefter Koka, efekti i të cilit u ndje në 25 prill për LSI-në, që nuk siguroi dot asnjë mandat në këtë qark. Faktori tjetër që do të kushtëzojë fituesin mund të jetë qëndrimi i PAA-së së Agron Dukës dhe PR-së së Fatmir Mediut, se cilin prej kandidatëve të opozitës do të mbështesin në këto zgjedhje.
Dibër – Vota gjithsej 33,038 (2016)
PS me LSI mori 18 mijë e 600 vota, ndërsa PD me aleatët e saj 14 mijë e 400 vota në zgjedhjet e pjesshme vendore për kryebashkiak të Dibrës në 2016-n. Vota partiake sipas rezultatit të 2015-s u nda në 8100 për PD, 6700 për PS dhe 2900 për LSI. Bashkimi i LSI me votat e PD-së thellon avantazhin e kësaj të fundit. Megjithatë, 6 marsi në këtë bashki mund të prodhojë ndarjen më të balancuar të votës opozitare, pasi për PD-në zyrtare fushata drejtohet nga Xhelal Mziu, që udhëhoqi edhe fitoren e opozitës në zgjedhjet e 25 prillit në këtë qark.
Shkodër – Vota gjithsej 68,681 në 2015
PS e LSi në Shkodër morën së bashku rreth 28 mijë e 200 vota në 2015, ndërsa PD 10 mijë vota më shumë se ato. PD e vetmi siguroi 25 mijë e 300 vota, LSI 11 mijë e 700 vota dhe PS 10 mijë e 800 vota. Këto shifra japin avantazhin për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”. Nëse llogaritet se votat e PD të 2015-s do të ndahen përgjysmë dhe atyre u bashkohet edhe vota e LSI-së (12.500 + 11 mijë) kandidati do të siguronte rreth 23 mijë vota, ose rreth 10 mijë vota më shumë se PS e PD zyrtare.
Vora – Vota gjithsej 16,087 në 2015
Vota për kandidatin në 2015-n në këtë bashki u nda në rreth 8200 për PD dhe aleatët e saj dhe 7900 për PS e LSI. PD e vetme siguroi 4400 vota, LSI 3800 dhe PS 2300. Në këtë bashki kanë ndodhur ndryshimet më të thella të orientimit të votës së elektoratit, ku në 25 prill PS e fitoi për herë të parë këtë zonë me Orlando Rakipin, djalin e Aqif Rakipit, pa llogaritur edhe këtu ndarjen e votës së elektoratit të PD-së mes Shtëpisë së Lirisë dhe PD-së zyrtare.
Rrogozhina – Vota gjithsej 12,550 në 2015-n
Vota për kandidatin u nda në rreth 6900 për PS e LSI dhe rreth 5400 për kandidatin e PD. PS mori 2865 vota, LSI 2745 dhe PD e treta me 2667 vota. Bashkimi i votës së LSI-së me të PD-së në pamje të parë sipas këtij rezultati i jep fitoren opozitës edhe në skenarin e ndarjes përgjysmë të elektoratit demokrat. Por, faktori që mund të vendosë fituesin këtu është Aqif Rakipi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje