Politike

Çfarë po e vonon ligjin për legalizimin e kanabisit?

Mazhoranca synon që brenda këtij sesioni parlamentar, pra deri në fund të korrikut të kalojë në Kuvend ligjin për legalizimin e kultivimit të kanabisit. Afati kohor u tha këtë të hënë nga ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një konferencë për shtyp me homologun e Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.

Periudha duket e shkurtër për një nismë kaq delikate, që mund të shkaktojë kundërshti brenda dhe jashtë vendit. Por, nëse kthehemi pas në kohë socialistët nuk është hera e parë që kanë hapur debatin e legalizimit. Nismëtari ka qenë ish-deputeti Koço Kokëdhima që në mandatin e parë të Ramës.

Kokëdhima u largua nga socialistët pas përplasjeve me Kryeministrin, por ideja e tij mbeti. Fiks dy vite më parë, në 9 maj të 2020 në një konferencë për shtyp me Ambasadorin Luigi Soreca me rastin e “Ditës së Europës” Rama fliste për legalizimin e kanabisit.

Ai tha se drafti ishte gati, se kishte një vit që punohej për të dhe se ai ishte konsultuar me ekspertët vendas dhe të huaj.

“Kemi një vit që po punojmë, edhe pak dhe do të jetë gati. Ne asnjëherë nuk bëjmë punë pa u konsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj, jemi konsultuar me ekspertë të huaj”, tha ai.

Dy vite më vonë, nga Qeveria nuk kanë hedhur ende një draft për konsultim publik, ndërsa premton që brenda korrikut ta miratojë nismën.

Kryeministri thotë se drafti është bazuar në përvojat e vendeve të tjera dhe shpejt do të jetë publik për konsultim. Ideja fillestare për legalizimin e hashashit është hedhur nga ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima, që në vitin 2014.

Të njëjtën ide, Kokëdhima e rihodhi në qarkullim gjatë vitit 2016, kur Qeveria u akuzua për kanabizimin e vendit. Vetë Rama as e kundërshtoi dhe as e pranoi publikisht në atë periudhë, por përfaqësues të tjerë socialistë e cilësuan nismën si të parakohshme për kushtet e vendit tonë.

Por, në pranverën e 2020, kur vendi ishte goditur nga tërmeti dhe pandemia, nga goja e vetë Kryeministrit u shqiptuan fjalët se diçka kishte ndryshuar për këtë temë dhe se diskutimi i saj në Qeveri, jo vetëm nuk ishte më një tabu, por kishte marrë udhë.

“Atë pa leje nuk e lejojmë, atë me leje po e studiojmë se të tjerët e kanë bërë. Jemi shumë të avancuar, por akoma nuk jemi në kapitullin e fundit për ligjërimin e prodhimit për arsye mjekësore, sikur e kanë pothuajse të gjithë, disa e kanë më të hapur, por jo, kaq”, deklaroi Rama gjatë një interviste dhënë për “Zonë e Lirë”.

Për nismën aktuale nga PD kanë heshtur, por në 2020 e kundërshtuan duke akuzuar Ramën se nuk kishte marrë asnjë “OK” nga ndërkombëtarët dhe se drafti që po shqyrtohet nuk është gjë tjetër veçse legalizim i kanabizimit të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë