Futboll

Çfarë po ndodh me Kristiano Ronaldon? Katër ndeshje pa gol për portugezin

Kristiano Ronaldo po kalon një moment shumë të vështirë. Edhe në Firence nuk shënoi. Në fundin e ndeshjes kishte një rast të artë: kros nga e djathta i Kulusevskit dhe topi vetëm sa duhet devijuar drejt rrjetës, por CR7, i vetëm përballë portës, nuk arrin. Ndoshta i penguar nga dielli që i binte në sy, ndoshta nga periudha e zezë, “agjerimi” i portugezit shkon në 4 ndeshje, duke llogaritur edhe atë që nuk luajti në Bergamo.

Ka festuar për herë të fundit një gol më 7 prill ndaj Napolit. Kjo është periudha më e gjatë pa gol për të. Vetëm një herë ka ndodhur që si lojtar i Juventusit të qëndrojë më gjatë pa shënuar, kur një dëmtim në kofshë e la 6 ndeshje jashtë fushave. “Sipas meje, Ronaldo nuk luajti keq, pati ndonjë rast, që nuk arriti të shfrytëzonte, por në përgjithësi bëri mirë”, – tha Pirlo për portugezin pas barazimit ndaj Fiorentinës, duke shpjeguar pse doli Dibala dhe jo ai në fund të pjesës së parë.

Kristiano Ronaldo gjatë ndeshjes me Porton. Gazeta Si, 26 prill 2021

Duke mos pasur kimi me Dibalën, Ronaldo nuk përjetoi një pasdite të mirë. Argjentinasi në pjesën e parë nuk u pa, po ashtu edhe Kristiano. Në pjesën e dytë portugezi u spostua nga e majta për të dribluar kundërshtarin dhe për të krijuar hapësirën e gjuajtjes, por edhe për të futur topa të rrezikshëm në zonë, siç bëri për Moratën.

Gjithçka do të ishte ndryshe, nëse Kristiano Ronaldo do ta kishte arritur atë top të bukur 6 minuta para fundit të ndeshjes. Goli i Moratës ishte e vetmja gjuajtje në kuadratin e portës së Fiorentinës për Juventusin, e para herë që ndodh këtë sezon. A është faji i Ronaldos?


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë