Bota

Çfarë po ndodh në Kherson dhe pse Putini e kërkon rajonin me çdo kusht

Në qytetin jugor të Ukrainës, jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kremlinin, ekzistojnë dy teori: e para është se rusët po përgatitin tërheqjen, e dyta që ushtria ka dërguar përforcime

Gazeta Si – Vëzhguesit po përpiqen të kuptojnë se çfarë po ndodh në frontet e luftës. Ata janë të detyruar të ndjekin nga larg, ka propagandë që mashtron, armiqtë lëshojnë tym kudo, duke maskuar dukshëm veprimet e tyre. Fokusi është përqendruar në zonën e Khersonit me disa teori.

E para. Rusët po përgatitin tërheqjen e tyre nga qyteti, i vetmi kryeqytet rajonal i pushtuar që nga 24 shkurti, për të krijuar një pozicion më të mirë mbrojtës.

E dyta. Komanda ukrainase nuk është e bindur, thotë se mijëra civilë janë larguar, por ushtria ka vendosur përforcime pikërisht për t’u përballur me një mësymje të re.

Vendndodhja është shumë e rëndësishme për Kremlinin: rajoni i Khersonit në fakt ndodhet menjëherë mbi Krimenë e pushtuar ushtarakisht nga Putin në vitin 2014 dhe prej këtu mbërrijnë furnizimet me ujë për gadishullin, përmes një kanali me origjinë sovjetike të bllokuar tetë vjet më parë nga ukrainasit dhe i rihapur nga rusët pas pushtimit.

Milja e fundit e korridorit që do të lidhë Krimenë nga toka me shtetin amë, kalon gjithashtu përmes Khersonit, aktualisht i arritshëm vetëm përmes urës Kerç, e cila u godit nga ukrainasit muajin e kaluar.

Eksperti Michael Kofman – gjithmonë ndër më të cituarit – gërsheton dy hipotezat. Nga njëra anë, ai kujton rëndësinë e lokalitetit nga pikëpamja politike.

Nga ana tjetër, ai beson se një tërheqje në bregun lindor të Dnjepros mund të sjellë disa avantazhe për pushtuesit.

Kjo do të thotë, një pengesë natyrore dhe më pak territor për t’u ruajtur. Kushtet e motit, balta dhe ekzistenca e shumë kanaleve përgjatë tokës, megjithatë, ngadalësojnë lëvizjet e reparteve.

Dëshmitë nga ukrainasit pohojnë se kundërshtari zëvendëson ushtarët mjaft shpejt dhe nuk duket se ka probleme për të ndezur zjarrin e artilerisë.

Nga Kievi vijnë vlerësime të kujdesshme. Shtabi i Përgjithshëm thotë se qyteti mund të çlirohet deri në fund të vitit, por në të njëjtën kohë dëshiron të mos bjerë në ndonjë kurth.

Secili ka problemet e veta serioze. Për Ukrainën është dëmtimi i rrjeteve të energjisë elektrike dhe ujit, duke përfshirë miliona civilë peng të bastisjeve të pushtuesve.

Për Rusinë, ankesat e rezervistëve vazhdojnë për shkak të pajisjeve të këqija, kushteve të jetesës, pagave më të ulëta se sa ishte premtuar.

Por, siç thotë një studiues, gjeneralët e Putinit janë të interesuar për “dendësinë” e trupave që do të shpërndahen në territor.

Mbetet pasiguria për hierarkitë e pushtuesve. Raportet e fundit jozyrtare thonë se gjenerali Aleksandër Lapin – i liruar nga posti disa javë më parë – është zëvendësuar si komandant i sektorit qendror nga gjenerali Aleksander Linkov. Një rotacion “i përkohshëm” për t’u konfirmuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë