Futboll

Champions/ Bajerni pranë mrekullisë në Paris, dorëzon kurorën me fitore (video)

Rregulli i pamëshirshëm i golit në fushë kundërshtare ka ndëshkuar këtë herë Bajernin e Mynihut. Kampionët e Europës kanë dorëzuar kurorën mbrëmjen e sotme, edhe pse fituan 0-1 në fushën e PSG-së. Ka peshuar shumë humbja 2-3 që bavarezët pësuan në ndeshjen e parë, në fushën e tyre. Në gjysmëfinale shkojnë francezët.

Edhe pse me shumë mungesa të rëndësishme, siç janë ato të Levandovskit, Gnabrit, Goretzkës, Zyles, Tolisos etj., Bajerni ishte në lojë për kualifikimin deri në fund dhe mund të kishte bërë mrekullinë në Francë. Sulmuesi Çupo Moting shënoi në pjesën e parë për gjermanët, duke vënë nën presion PSG-në, që krijoi disa raste të mira, por pa mundur t’i finalizojë. Nejmar ishte oa fat, pasi goditi traversën.

Skuadra e Flik këmbënguli deri në fund për golin e dytë, që do të sillte kualifikimin, por nuk ia doli. PSG shënoi me Mbape, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të sulmuesit. Bavarezët nuk kishin alternativa në stol dhe trajneri Flik bëri vetëm dy ndërrime, duke hedhur në fushë Musialën dhe Havi Martinezin. Në fund, festa ishte për francezët, edhe pse mes drithërimash.

Ka humbur edhe Çelsi në fushën e tij me të njëjtin rezultat, 0-1, por anglezët ishin më të sigurt pas fitores 0-2 në transfertë ndaj Portos. Londinezët menduan më shumë për të menaxhuar rezultatin e ndeshjes së parë dhe ia arritën qëllimit. Porto realizoi golin e nderit në minutën e 4-t shtesë dhe nuk kishte kohë për më shumë. Taremi e dërgoi topin në rrjetë me një veprim të bukur akrobatik.

Liga e Kampionëve, çerekfinalet
PSG-Bajern Mynih 0-1 (3-2)
ÇELSI-Porto 0-1 (2-0)
Të mërkurën
Borusia Dortmund-Mançester Siti (1-2)
Liverpul-Real Madrid (1-3)


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë