Futboll

Champions/ Guardiola dhe Tuhel për historinë, finalja e sotme në gjuhën e numrave

Liga e Kampionëve flet anglisht. Në finalen e sotme që zhvillohet në Porto, Mançester Siti i Pep Guardiolës do të tentojë trofeun më të rëndësishëm ndaj Çelsit të Tuhel, gjermanit që mori drejtimin e bluve gjatë sezonit, duke zënë vendin e Lampard. Një derbi mes dy skuadrave angleze që ndeshen në Europë pas 50 vitesh, me një precedent që nuk lë shumë shpresë për Çelsin. Finalen e parë e ka humbur ndaj një tjetër ekipit të Mançesterit, ndaj Junajtid.

Sfida është Siti-Çelsi, por edhe Guardiola kundër Tuhel, dy trajnerë avangardë në panoramën e futbollit botëror, të mbështetur fuqishëm nga portofoli i klubeve përkatëse.

Baneri i finales së sotme. Gazeta Si, 29 maj 2021

Të dyja skuadrat kanë luajtur në “Estadio do Dragao” këtë sezon, Siti në fazën e grupeve, në ndeshjen e vetme që nuk e ka fituar këtë edicion (0-0), kurse Çelsi fitoi 0-2 kundër të zotëve të shtëpisë në ndeshjen e parë çerekfinale. Për të ardhur në finale Siti ka eliminuar dy Borusiat, Gladbah dhe Dortmund, si dhe PSG-në e Nejmar e Mbape. Çelsi, përveç Portos, ka eliminuar edhe dy skuadrat e Madridit, Atletikon në 1/8-at dhe Realin në gjysmëfinale.

Për këtë ecuri, sfida mes Guardiolës e Tuhel shndërrohet në motiv interesi në atë që mund të jetë një finale spektakolare, e zhbllokuar shpejt, ose një ndeshje shahu, me Çelsin gati për të mbyllur hapësirat në mbrojtje dhe për të kundërsulmuar rrezikshëm.

Lojtarët kyç
Kevin de Bryjne mund të bëjë hakmarrjen e madhe për ata që nuk besuan deri në fund tek ai, duke e aktivizuar në vetëm 9 ndeshje në vitin 2012. Mesfushori belg është “fari” i lojës së Mançester Sitit, që nuk fal në zonën gol, si për sa u përket golave personalë, ashtu edhe për pasimet fituese.

Kante në një ndeshje ndaj Sitit. Gazeta Si, 29 maj 2021

Në krahun tjetër, N’golo Kanté pritet të jetë elementi thelbësor për trajnerin Tuhel, ai pritet të vërë ekluilibër me topat e rikuperuar. Francezi mund të jetë pika e nisjes për kundërsulmet e bluve të Londrës, të cilët duan ta kapin në befasi mbrojtjen e Guardiolës.

Precedentët
Dy skuadrat janë ndeshur tri herë këtë sezon. Çelsi ka fituar dy herë, duke përfshirë një 2-1 në “Etihad Stadium” më 8 maj, në fund të javës kur u kualifikua për në finale të Championsit, ashtu si dhe Siti. Ndeshja u vendos nga një gol në shtesë i Markos Alonso, pasi më parë kishin shënuar Rahim Sterling dhe Hakim Zijesh. Sitit iu desh të shtynte festën për titullin kampion në Premier Ligë. Tuhel e ka mundur Sitin edhe në gjysmëfinalen e “FA Cup” në “Wembley” më 17 prill, me golin vendimtar të Zijesh. Finalja e fundit mes dy skuadrave është ajo e Kupës së Ligës 2018/19, ku Siti fitoi 4-3 me penallti.

Nga një ndeshjes mes Çelsit dhe Mançester Sitit këtë sezon. Gazeta Si, 29 maj 2021

Finalet
Mançester Siti është klubi numër 42 që shkon në finale të Championsit, dubutuesi i tretë radhazi në një finale pas Totenhemit dhe PSG-së. Nëse fitojnë, “qytetarët” bëhen skuadra e 23-të që ngre trofeun prestigjioz, risia e parë pas 2012-ës, kur ishte pikërisht Çelsi që shkroi emrin për herë të parë. Në palmaresin e Sitit është një Kupë Kupash.

Çelsi luan finalen e tretë të Ligës së Kampionëve. Në dy të parat ka një fitore dhe një humbje, në të dy rastet me penallti. Trajneri Tomas Tuhel ishte në stolin e PSG-së në finalen e kompeticionit të fundit, ku humbi ndaj Bajern Mynihut. Tuhel është trajneri i parë në gjendje të çojë dy skuadra të ndryshme në dy finale radhazi. Në palmares Çelsi ka dy Kupa Kupash, dy Liga Europe dhe një Superkupë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë