Futboll

Champions/ Hysaj në dyshim ndaj Barcelonës, Çelsi sfidon Bajernin

Deri dy muaj më parë te Napoli as që e mendonin se do të luanin ndaj Barcelonës në Champions League. Napoli po kalonte një nga momentet më të vështira të sezonit, me një rënie të frikshme në klasifikim, Ançeloti i shkarkuar dhe Gatuzo që debutonte me humbje ndaj Parmës. Por kjo është bukuria e Championsit dhe rezultatet e Napolit ndaj Liverpulit janë një nga rastësitë e këndshme të futbollit.

Tani skenari është ndryshe dhe napoletanët kanë besim se mund t’ia dalin ndaj Barcelonës. Futbolli që kërkon trajneri Setien te katalanasit nuk po duket, Suarez është i dëmtuar dhe De Jong e Grizman nuk kanë qëndrueshmëri. Organika e Bracelonës nuk është e plotë dhe në klub atmosfera është prishur nga skandali i denigrimit të yjeve të skuadrës në rrjetet sociale, me pagesë të klubit. Në këto kushte Napoli dhe Hysaj mund të ëndërrojnë.

Elseid Hysaj me fanellën e Napolit. Gazeta Si, 25 shkurt 2020

Kapiteni i Kombëtares, shqiptare, Elseid Hysaj, i dëmtuar disa ditë më parë në gju, është në dyshim për këtë ndeshje. Napolit i mungojnë Kulibali, Malkuit dhe Lorente, por edhe Barcelona ka mungesa të rëndësishme në sfidën e sotme. Përveç Suares, nuk janë të disponueshëm as Dembele, Roberto dhe Zhordi Alba. Shpresat e Napolit janë te treshja sulmuese Insinje-Milik-Mertens.

Sot në mbrëmje luhet edhe sfida tjetër Çelsi-Bajern Mynih, ku bavarezët nisen favoritë, edhe pse luhet në Londër. Skuadra e Lampard nuk kishte të drejtë të bënte merkato në verë dhe këtë sezon u ka besuar lojtarëve të rinj, të cilët kanë bërë një paraqitje të mirë, sidomos sulmuesi Abraham. Çelsit i mungon sot një lojtar i rëndësishëm si Kante, ndërkohë që nuk janë të gatshëm as Hudson-Odoi dhe Pulisiç. Në radhët e bavarezëve mungojnë spanjolli Havi Martinez, Perisiç dhe Shule.

Lojtarët e Bajernit në stërvitje para ndeshjes me Çelsin. Gazeta Si, 25 shkurt 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë