Futboll

Champions/ Prozhektorët te Barcelona-Inter, Mesi në dyshim të fortë

“Kamp Nou”, 28 prill 2010, gjysmëfinalja e kthimit në Champions mes Barcelonës dhe Interit. Italianët luajnë me 10 vetë dhe Guardiola thërret Ibrahimoviçin për ta aktivizuar, Mourinjo i shkon afër dhe i pëshpërit në vesh: “Pep, nëse beson se do kualifikohesh, gabohesh”. Me një rezistencë epike, Interi kalon në finale dhe fiton trofeun. Sot në të njëjtin stadium Interi zbret me një tjetër trajner që i bën tifozët zikaltër të ëndërrojnë.

Barcelona dhe Interi përplasen në grupet e Championsit dhe trajneri Antonio Konte e ka shmangur krahasimin. “Ne jemi një skuadër në fillim të një rrugëtimi”, – ka thënë Konte. Interi i tripletës kishte shumë përvojë, kurse sot është ndryshe. Sensi dhe Barela do të “vallëzojnë” për herë të parë në shtëpinë e ëndrrave, janë në fillim të përrallës. Konte ka një skuadër të re dhe kurajoze, te Barcelona situata nuk është ajo më e mira kohët e fundit. Në dyshim serioz është ylli i katalanasve, Lionel Mesi, për të cilin trajneri Valverde ka pohuar se do të vendosë në minutën e fundit. Në anën tjetër, Interi është pa Lukakun në ndeshjen më të rëndësishme të mbrëmjes së sotme në Champions. Prozhektorët janë drejtuar aty.

Nga një ndeshje mes Barcelonës dhe Interit. gazeta Si, 2 tetor 2019

De Jong, Suarez, Grizman janë disa nga emrat, me të cilët katalanasit synojnë fitoren e parë në grup, pas barazimit në Dortmund. “Kamp Nou” të tremb edhe kur është bosh, megjithatë ai hap fals ndaj Sllavias së Pragës në Milano e detyron Interin të kërkojë me forcë të paktën barazimin sot në Spanjë. Kampionët në fuqi të Liverpulit kanë një ndeshje të lehtë sot, presin Salcburgun. Napoli luan në fushën e Genkut në orën 19:00, kurse Çelsi në transfertën e Lilës. Janë disa nga sfidat më interesante të mbrëmjes së sotme në Champions, ku luajnë Grupet E, F, G dhe H.

Ndeshjet e sotme në Champions
Genk-Napoli
Sllavia Pragë-B.Dortmund
Barcelona-Inter
Lilë-Çelsi
Liverpul-Salcburg
Lajpcig-Lion
Valencia-Ajaks
Zenit-Benfika


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë