Futboll

Champions/ I zakonshmi Benzema shpëton Realin, kualifikimi vendoset në Londër (Video)

Një pjesë e parë spektakli të pastër dhe një pjesë e dytë më shumë taktike. Në fund një barazim 1-1 mes Real Madridit dhe Çelsit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Championsit. Reali konfirmon se vështirë gabon në ndeshje të një niveli të tillë, edhe pse është shumë larg futbollit të tij më të mirë. Në anën tjetër, Çelsi tregon se e meriton një vend në tavolinën e 4 më të mirëve të Europës.

Barazimi është një rezultat korrekt për lojën që u zhvillua. Nëse londinezët do t’i kishin administruar më mirë 20 minutat e para, ku patën një superioritet të madh, do të ishin tashmë në rrugën drejt finales. Me këtë rezultat gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit të mërkurën e ardhshme në Angli.

Çelsi surprizoi me lojën e minutave të para. Skuadra e Tuhel ishte e vendosur mirë në fushë, fizikisht më lart dhe mjaft efikase në kundërsulm. Një ritëm loje që e ka shtangur Realin dhe duhej një mrekulli e Kurtua ndaj Verner për të evituar golin. Londinezët gjithsesi kalojnë në avantazh pas 14 minutash me Pulisiç, i cili merr një top nga Rudiger, kalon Naçon e më pas portierin për të tundur rrjetën.

Reali, siç ndodh shpesh, gjen forca për të reaguar edhe kur gjendet në vështirësi. Benzema godet shtyllën e majtë të portës së anglezëve dhe më pas realizon një gol të bukur, një gol tipik qendërsulmuesi, me shpinë nga porta, pasi merr një top në zonë nga Militao.

Dy skuadrat e ulin ritmin në pjesën e dytë. Pas 60 minutash trajnerët provojnë të mbajnë nivelin e lartë me ndërrimet, por Hazard, Ziesh dhe Havertz nuk arrijnë në asnjë moment të godasin për golin e fitores. Reali dhe Çelsi do ta zgjidhin kualifikimin pas 8 ditësh. Spanjollët vështirë se gabojnë në këto ndeshje, por anglezët kanë “armë” të forta për t’i bezdisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë