Ne rrjet

Chrome, “spiuni” që mbajmë kudo!

Më shumë se 2.6 miliardë persona lundrojnë çdo ditë në internet duke përdorur shfletuesin e Google, Chrome, megjithëse vetë kompania ka pranuar se ky shfletues “spiunon” më shumë se sa duhet përdoruesit.

Google pranoi se grumbullon dhe gjurmon se çfarë bëjnë përdoruesit përmes shfletuesit Chrome. Ekspertët thonë se kompanisë i ka dalë situata jashtë kontrollit, duke e humbur fillin e balancës mes privatësisë së përdoruesve dhe grumbullimit të të dhënave, kryesisht për qëllime marketingu.

Në fakt, kompania premtoi se do të “heqë qafe” shtojcat e palëve të treta te shfletuesi Chrome, por vendimi është shtyrë vazhdimisht, ndërsa edhe teknologjia që pretendohet ta zëvendësojë këtë hap, jo vetëm që nuk siguron të dhënat e përdoruesve, por e përkeqëson edhe më shumë lëmshin e krijuar.

Mozilla, kompania që qëndron pas shfletuesit Firefox flet për një “spiunim të gjithanshëm, që Google u bën klientëve”.

“Chrome është shfletuesi i vetëm madhor që nuk ofron një mbrojtje domethënëse përë përdoruesit kundër faqeve gjurmuese dhe vazhdon që të lërë përdoruesit të pambrojtur”, thotë kjo kompani.

Ironikisht edhe vetë Google e pranon që ky spiunim i gjithanshëm i ka dalë jashtë kontrollit dhe për këtë ka një erozion te njerëzit që e mbështesin atë, ku 72 për qind thotë se ndjehen sikur Chrome përgjon gjithçka që bëjnë në internet.

Pyetja që ngrihet është se si ka mundësi që Google e pranon që gjurmimi i klientëve të saj përmes Chrome minon privatësinë e tyre, por sërish vazhdon t’ua ofrojë këtë shërbim palëve të treta përmes shtojcave në këtë shfletues? Përgjigja është e thjeshtë: paratë! Kufizimi i gjurmimit do të përkthehej drejtpërdrejtë në më pak të ardhura nga marketingu, përhapja e mesazheve politike dhe opinioneve. Tani për tani, Google nuk ka një plan B, pasi edhe ideja e saj e madhe për të anonimizuar gjurmimin mbetet ende një ide.

Sipas studimeve të ekspertëve të sigurisë kibernetike, 53 kompani të mëdha të marketingut mund të “vëzhgojnë” deri në 91 për qind të aktivitetit të një përdoruesi mesatar të Google Chrome, ndërsa 600 kompani të tjera deri në 50 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë