Procesi i numërimit të kandidatëve për deputet ka nxjerrë në pah fenomenin se kush luftoi më shumë për emrin e vet, sa kohë që vota për kandidatin llogaritej edhe si votë për subjektin politik. Deri të enjten në mesditë, Tirana është qarku me kandidatët që thyen herësin kryesisht nga Partia Socialiste. Ata që e thyen pastër këtë herës sipas përllogaritjeve për qarkun e Tiranës ishin Fatmir Xhafaj me 13.176 që rezulton edhe më i votuari deri më tash në këtë qark për PS, e pason Belinda Balluku me mbi 12 mijë vota, Orlando Rakipi i treti (mbi 12 mijw vota).
Nga kampi blu herësi është thyer nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, afër tij është edhe Agron Shehaj. Edhe pse ky i fundit nuk ka kaluar kufirin zyrtar që duhet (mbi 12 mijë vota), Shehaj ka fituar mbi 10 mijë, kufiri i përcaktuar nga partitë para zgjedhjeve për të kaluar pragun.
Agron Shehaj ka marrë mbështetje nga PD-ja edhe pse ishte i renditur në një pozicion të sigurt në listën e PD-së, (i gjashti). Mbi 10 mijë vota në Tiranë ka marrë edhe kandidati tjetër socialist, Etjen Xhafaj.
Taulant Balla është një tjetër kandidat që ka thyer çdo rekord mbështetje në Elbasan. Ai ka marrë mbi 21 mijë vota i ndjekur nga Saimir Hasalla me 11.518 vota. Nga PD-ja, Luçiano Boçi arriti që të thyeje herësin duke siguruar pjesëmarrjen në Kuvendin e ardhshëm.
Boçi renditej i 7-i në listë, ndërkohë që PD-ja siguroi vetëm 6 mandate për qarkun e Elbasanit.
Një tjetër qark, ai Beratit u dominua në PS nga Blendi Klosi i renditur i pesti në listë. Për shkak të faktorit LSI, Klosit i luhatej jo pak mandati duke bërë që të punonte më së shumti për emrin e tij. Klosi ka siguruar mbi 12 mijë vota në Berat. Kalojmë tek qarku i Fierit ku Erion Brace (mbi 13 vota) rezulton më i votuari, i pasuar nga Gramoz Ruci që ka marrë mbi 10 mijë vota.
Niko Peleshi në qarkun Korcë ka thyer gjithashtu herësin edhe pse e siguroi mandatin në bazë të rezultatit që PS-ja mori si subjekt politik në atë qark.
Në qarkun Gjirokastër dominon Bledar Çuçi me mbi 11 mijë vota
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje