Kur terroristët e Al Kaedës goditën Kullat Binjake më 11 shtator 2001, shumë nga 13 ushtarët amerikanë të vrarë në sulmin kamikaz të Kabulit të enjten, ose nuk kishin lindur ende, ose ishin vetëm fëmijë.
Viktimat e fundit të kësaj lufte të pafundme, të goditura nga një kamikaz në aeroportin “Hamid Karzai”, ishin në Afganistan për të menaxhuar evakuimin e civilëve amerikanë dhe afganë dhe për të përmbyllur një mision njëzetvjeçar.
Identitetet e tyre u publikuan në fundjavë dhe emrat u konfirmuan nga autoritetet lokale në çdo cep të vendit – nga Kalifornia në Ohajo, nga Tenesi në Masaçusets – ose nga vetë anëtarët e familjes, të cilët duhet të njoftohen brenda 8 orëve nga vdekja dhe të cilët kanë filluar të qajnë të dashurit e tyre në rrjetet sociale.

Nicole Gee, 23 vjeçe, rreshtere në ushtri, u bë e famshme për një fotografi të saj, duke mbajtur një fëmijë gjatë evakuimeve, të cilën ajo e postoi një javë më parë në Instagram me komentin: “Unë e dua punën time”.
Fotografia ishte bërë një nga simbolet e përpjekjes së ushtrisë amerikane në favor të civilëve afganë, dhe më pas u publikua përsëri në Twitter nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes. Me origjinë nga Roseville, Kalifornia, ajo ishte përgjegjëse për mirëmbajtjen me Njësinë e 24 -të të Ekspeditës Detare.

Një nga viktimat e para të identifikuara, ishte togeri Rylee McCollum, një 20-vjeçar nga Bondurant, Wyoming, që ishte martuar në shkurt dhe po priste të bëhej baba, me një fëmijë që do të lindë pas tre javësh.
Togeri kishte lindur në shkurt 2001 dhe që kur ishte 3 vjeç, ai kishte qëlluar me një pushkë-lodër dhe ëndërronte të bashkohej me forcat e ushtrisë amerikane: ai nuk mund të duronte padrejtësitë, kujtoi babai i tij Jim dhe i mbrojti shokët e tij që bullizoheshin.
Ai u regjistrua sapo mbushi 18 vjeç, duke i kërkuar babait të tij të nënshkruante autorizimin. “Donte të largohej sa më shpejt që të ishte e mundur”, – tha babai.
Motra Cheyenne, i tha gazetës “Washington Post”, se sapo i vëllai të përfundonte angazhimin e tij me marinsat, do të kishte dashur të ishte mësues historie ose trajner në mundje, një sport, të cilin e praktikonte në shkollën e mesme. Misioni i parë i Rylee McCollum jashtë shtetit, ishte në Jordani në prill, pastaj njësia e tij u dërgua në Afganistan për të siguruar aeroportin e Kabulit.
Pasi u nis për në Afganistan, babai i tij Jim bisedonte me të në ‘Messenger’: nëse sinjali ishte i gjelbër, do të thoshte që djali i tij Rylee, ishte në internet, kështu që ai ishte gjallë.
Kur dëgjoi për sulmin të enjten, Jim McCollum vrapoi për të kontrolluar telefonin e tij, por këtë herë pika ishte gri. “A je mirë?”, – pyeti ai, pa marrë përgjigje.
“Në zemrën time, unë tashmë e dija…”, tha ai për gazetën “The New York Times” të premten. Pastaj, në orën 3.30 të mëngjesit, dy marinsa trokitën në derën e tij, duke sjellë lajmin e tmerrshëm.

“Unë qëndrova në shtëpi të enjten, sepse ishte sulmi dhe e dija që djali im Kareem ishte atje”, – tha Steve Nikoui, një murator nga Norco, Kalifornia, për gazetën “Daily Beast”.
“E dija që marinsat kontaktonin familjet brenda 8 orëve. Rreth orës 19.15 i pashë këta të rinj që po ktheheshin në shtëpi”.
Ai tashmë e kishte kuptuar fatin e djalit të tij Kareem Nikoui, gjithashtu në të njëzetat, kampion i arteve marciale. Ai ishte duke i pritur ata, sepse donte të mësonte lajmin e keq para se gruaja e tij ose fëmijët e tjerë të ktheheshin dhe të shihnin marinsat.
“Ata ishin më të tronditur se unë. Në fund, unë isha ai që i ngushëllova, por doja që ata të largoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur, në mënyrë që asnjë nga familja ime të mos i takonte”.
Përveç dhimbjes, zemërimi për vdekjen e djalit të tij, po fshihet në kraharorin e babait të Nikoui. “Unë do të doja të respektoja presidentin Biden, por nuk mundem”, – tha babai, i cili kishte votuar për Trump dhe ishte i lumtur që djali i tij ishte regjistruar në ushtri gjatë administratës së tij.
“Me të vërtetë mendova se nuk do të rrezikoheshin me gjithë njerëzit e tjerë. Megjithatë, ata e dërguan djalin tim atje si një postier, ndërsa talebanët garantuan sigurinë. Biden ia ka kthyer shpinën, faji është tek udhëheqësit tanë ushtarakë”. Nëna e tij, Shana Chappell, postoi në Instagram foton e fundit që i kishte dërguar djali i saj, e bërë të dielën.
“Ndjeva që shpirti po largohej nga trupi im, ndërsa bërtisja, nuk mund të ishte e vërtetë”, – shkroi zonja Chappell. “Asnjë nëne, asnjë prindi nuk duhet t’i thuhet kurrë se fëmija i tyre ka vdekur”. Ditët e fundit, marinsi fatkeq kishte dërguar video të xhiruara me fëmijë afganë në aeroport. “Provo të thuash një përshëndetje”, – i thoshte ai njërit prej tyre.

Max Soviak ishte 22 vjeç dhe ai ishte një oficer mjekësor i ushtrisë. Ai ishte nga Berlin Heights, Ohajo, kishte luajtur futboll në shkollë të mesme dhe ishte regjistruar, duke ëndërruar për një karrierë në ushtri.
“Të gjithë i drejtoheshin Maksit, në situata të vështira. Ai ishte energjik dhe pasionant, – tha trajneri i tij, Jim Hall, për ‘The New York Times’. – Ai ishte një student i mirë, i pranishëm në sport dhe disiplina të tjera”, – tha në një deklaratë, “Edison High School”, Ohajo, ku u diplomua në vitin 2019.
“Ai ishte i respektuar dhe i dashur nga të gjithë ata që e njihnin.” Vdekja e tij u konfirmua nga motra e tij më e madhe, Marilyn, në Instagram. “Ai ishte një mjek fatkeq, ishte atje për të ndihmuar njerëzit dhe tani që ai është larguar, familja ime nuk do të jetë më e njëjtë. Ka një boshllëk aq të madh që nuk do të mbushet kurrë më”, shkroi ajo.
“Ai ishte vetëm një djalë dhe ne i dërgojmë djemtë atje për të vdekur. Djem me familje, të cilët tani kanë një boshllëk si i yni”.
Një mik i familjes, Jason Garza, hapi një mbledhje fondesh në internet për familjen Soviak në ‘GoFundme’, e cila në vetëm pak orë mblodhi 16,000 dollarë nga 331 donatorë.
“Familja po përballet me dhimbje të mëdha, ne donim t’i çlironim nga çdo mendim financiar në mënyrë që ata të mund të mendojnë vetëm për veten e tyre tani”.
Prindërit, Kip dhe Rachel Soviak, i thanë “Washington Post”, se ata kishin marrë së fundmi prej tij përmes një video-thirrje. “Mos u shqetësoni”, – u tha ai atyre. “Djemtë nuk do të lejojnë që të më ndodhë asgjë”. Për fat të keq, vijoi nëna e tij, “humbën jetën të gjithë”.

Jared Schmitz, një ushtar nga St.Louis, Mizuri, ishte njëzet vjeç: ai gjithmonë kishte ëndërruar të regjistrohej në ushtri dhe si McCollum, kishte ardhur nga një misioni në Jordani. “Jeta e tij do të thoshte shumë më tepër”, – tha babai i tij Mark, i cili mori lajmin në orën 02:40 të mëngjesit, për kanalin lokal “Kmox”.
“Unë jam i shkatërruar nga mendimi se nuk do të jem në gjendje ta njoh djalin që po rritej”.

Njëzet vjeç ishte gjithashtu David Lee Espinoza, i cili lindi në Laredo dhe jetoi me familjen e tij në Rio Bravo, Teksas. Ai ishte një djalë i qetë, i rezervuar, por bujar, u regjistrua menjëherë në ushtri, pasi mbaroi shkollën e mesme në vitin 2019. “Ishte aq trim, sa dilte për të ndihmuar njerëzit. Ishte i tillë, i përsosur”, – tha nëna e tij, Elizabeth Holguin për “Laredo Morning Times”.
Ajo e kishte dëgjuar atë të mërkurën e kaluar dhe, para se ta mbyllte telefonin, ai pëshpëriti, “të dua”. Emri i tij u konfirmua nga policia lokale, e cila uli flamujt në gjysmështizë dhe shprehu dhimbjen e tyre me një deklaratë të postuar në Facebook. “Semper Fi”, – shkroi Departamenti i Policisë në mesazhin e ngushëllimit, duke iu referuar motos së marinsave. “Faleminderit për shërbimin tuaj”.

Hunter Lopez, 22 vjeç, donte të ishte zëvendës-sherif si prindërit e tij, sapo të largohej nga ushtria. “Hunter ishte një zbulues talentesh në ‘Palm Desert Station’ nga viti 2014 deri në vitin 2017. Ai u vra sepse kishte veshur me dashuri dhe krenari uniformën e marinsave amerikanë”, – shkroi Shoqata e Sherifit të Riverside, duke lëshuar një deklaratë në emër të prindërve.
“Ashtu si prindërit e tij, të cilët i shërbejnë komunitetit tonë, për Hunter-in, pjesëmarrja në ushtri, nuk ishte një punë, por një thirrje. Me shokët e tij, ai u largua shumë shpejt nga kjo botë dhe nuk ka fjalë për të shprehur se sa shumë do të na mungojë. Semper Fi”.

Vinte nga Omaha, Nebraska, Marine Daegan Page, 23 vjeç, një adhurues i hokeit – ai mbështeti Chicago Blackhawks – dhe gjuetisë. “Ne gjithmonë do ta kujtojmë atë për trupin e tij të fortë dhe zemrën e madhe”, – shkroi familja, pasi dëgjoi lajmin.
Një ish-skaut, ai ishte regjistruar sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe ishte vendosur në Camp Pendleton, në Kaliforninë Jugore.
“Ai gjithmonë priste të kthehej në shtëpi dhe të kalonte kohë me familjen e tij dhe miqtë e tij të shumtë në Nebraska, – shkruan familja. – Për vëllezërit e tij më të vegjël, ai ishte një shok dhe për miqtë, një djalë i lumtur, tek i cili mund të mbështeteshin gjithmonë”

Ryan Knauss ishte një ushtar i Ushtrisë Amerikane, “një i ri i motivuar që e donte vendin e tij”, siç kujtoi gjyshi, Wayne të premten. Ai ishte nga Knoxville, Tenesi, ishte regjistruar menjëherë në ushtri pas mbarimit të shkollës së mesme dhe kishte 9 muaj në Afganistan dhe sapo kishte përfunduar trajnimin në Operacionet e Psikologjisë.
“Ai ishte një djalë shumë i zgjuar, i qeshur”, – tha njerka e tij, Linnae Knauss, duke kujtuar se si 23-vjeçari donte të ndërtonte objekte me duart e tij dhe të punonte në kopsht me gruan e tij, Alena.
Familja mësoi për vdekjen të premten në mëngjes. “Ishte një tronditje. Na thanë se viktimat ishin 12 marinsa dhe një anëtar i marinës, ndërsa nipi ynë ishte në ushtri. Ne po luteshim për familjet e viktimave, pa e ditur që edhe ai kishte humbur jetën”, -tha gjyshja nga nëna, Evelina Knauss.
“Ai ishte një besimtar, një i krishterë i devotshëm që shkoi në shkollë fetare deri në shkollën e mesme”, vijoi gjyshi, Wayne. “Ne do të takohemi përsëri në parajsë”.

Rreshteri Darin Taylor Hoover Jr., 31 vjeç, ishte një ish-futbollist (NFL) i shkollës së mesme në Midvale, Utah dhe u regjistrua në ushtri 11 vjet më parë.
“Ai ishte personi më i dashur, jo-egoist dhe më mirëkuptues që mund të takoje”, tha babii i tij, Darin për “Washington Post”, i cili mori mesazhe ngushëllimi nga dhjetëra marinsa që ai kishte shërbyer si rreshter.
“Ata thonë se mësuan aq shumë prej tij, saqë ai ishte një lider”, – tha Darin Hoover Sr. “Ai bëri atë që donte, i udhëhoqi njerëzit e tij dhe ishte me ta deri në fund. Ai i donte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e dëshmoi këtë me shërbimin e tij. Ne jemi të shkatërruar dhe afër familjeve të vëllezërve të tij të rënë”.

Johanny Rosario, 25 vjeçe, ishte gjithashtu një rreshtere në ushtri. Ajo lindi në Lawrence, Masaçusets dhe ishte anëtare e Ekipit të Angazhimit të Femrave të Trupave Ushtrisë së SHBA-ve.
Pas diplomimit, ajo ndoqi Universitetin Shtetëror Bridgewater, më pas u regjistrua në ushtri. “Tani për tani familja dëshiron që privatësia e tyre të respektohet, dhe Johanny të mbahet mend si heroina që ishte”, – tha major Kendrys Vasquez, i cili solli ngushëllimet e administratës për familjen Rosario.

Dylan Merola, 20 vjeç, ishte nga Rancho Cucamonga, Kalifornia, ku u diplomua nga Shkolla e Mesme Los Osos. Sipas nënës së tij, Cheryl për “CBS2”, ai ndodhej në Kabul prej më pak se dy javësh dhe ëndërronte të shkonte në kolegj dhe të studionte inxhinieri. “Ai më tha: ‘Unë nuk do të jem në gjendje të flas për një kohë, ata po na dërgojnë në një vend tjetër. Të dua, shihemi së shpejti’. Ky ishte mesazhi i tij i fundit”.

Humberto Sanchez, ishte nga Logansport, Indiana, kishte mbaruar shkollën e mesme për katër vjet dhe ishte një pjesëtar i ushtrisë.
“Ai nuk ishte as 30 vjeç dhe kishte të gjithë jetën përpara”, – tha kryebashkiaku i Logansport, Chris Martin, pa e konfirmuar emrin. “Çfarëdo plani që kishte për të ardhmen, ai e sakrifikoi atë me guxim për të mbrojtur jetën e të tjerëve”.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje