Politike

Çlirimi bashkon Metën e Ramën, PD “bojkoton” sërish 29-ën

Ilir Meta dhe Edi Rama u bashkuan sërish, këtë herë për të nderuar Dëshmorët e Kombit me rastin e 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit.

Të shoqëruar edhe nga kryetarja e Kuvendit, Rama dhe Meta vendosën nga një kurorë me lule në Memorialin Nëna Shqipëri.

Ashtu si në ceremoninë e ngritjes së Flamurit në Vlorë, me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë, edhe këtu dy udhëheqësit shmangën si komentet publike, ashtu edhe shfaqjen e gjatë pranë njëri-tjetrit, duke mos i fshehur raportet e tendosura që ekzistojnë.

I vetmi që i bashkoi ishte sinjali i transmetimit, që siç duket e kanë marrë nga i njëjti burim, pasi kohëzgjatja e videove të transmetuara prej tyre në rrjetet sociale është e njëjtë, 10 minuta e 35 sekonda.

E para që ka reaguar përmes rrjeteve sociale ka qenë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Ajo thotë se “sot është dita e mirënjohjes ndaj çlirimtarëve” dhe bëri thirrje për bashkim në përpjekjet për të avancuar reformat.

“Është koha të jemi bashkuar për përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, për të thelluar e avancuar reformat, në shërbim të zhvillimit të Shqipërisë, konsolidimit të demokracisë dhe rritjes së mirëqenies së të gjithë qytetarëve”, shkroi Nikolla.

Rama nga ana tjetër, e uroi Ditën e Çlirimit me përfundimin, sipas tij, të Rrugës së Arbrit, e parashikuar që të hapet për qarkullim këtë të hënë.

Ndërkohë, edhe këtë përvjetor të Çlirimit, politika mbeti e ndarë. Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë të Partisë Demokratike vendosën një ditë më parë kurora me lule në nderim të Dëshmorëve të Kombit, duke përkujtuar në të njëjtën datë si Ditën e Pavarësisë, ashtu edhe Çlirimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë