Futboll

Çmimi i besnikërisë, ekipi i Sadikut shpërblen tifozët me abonim gratis

Një vlerësim i drejtë për ata që janë motori i vërtetë i futbollit dhe që e ndihmojnë skuadrën e zemrës të kapërcejë çdo kufi. Iniciativa e bukur vjen nga Spanja, nga drejtuesit e ekipit të Levantes, që zotëron kartonin e sulmuesit të Kombëtares së Shqipërisë, Armando Sadiku.

Falë mbështetjes së jashtëzakonshme dhe të vazhdueshme të tifozëve, Levante ia doli të qëndronte në La Liga, në nivelin më të lartë të futbollit spanjoll. Dhe si shpërblim për besnikërinë e treguar gjatë gjithë sezonit, klubi ka vendosur t’i shpërblejë shumicën e tifozëve me abonim gratis për sezonin e ardhshëm. Levante mban vendin e 9-të në klasifikimin e tifozëve të pranishëm në stadium në Spanjë. Në total, në stadiumin e Levantes kanë qenë të pranishëm gjatë sezonit të fundit 373.673 tifozë, me një mesatare prej 19.667 tifozësh për çdo ndeshje. Cili është numri i atyre që kanë përfituar abonim falas për sezonin e ri? Këtë fat e kanë pasur 14.610 tifozë, 3.338 nga të cilët janë fëmijë.

Armando Sadiku me fanellën e Levantes

Kujtojmë që sezonin e fundit Sadiku pësoi një dëmtim dhe pas rikuperimit u huazua në Zvicër nga Levante. Sulmuesi shqiptar luajti disa muaj te Lugano dhe tani do të ribashkohet me ekipin spanjoll, por me shumë gjasa, ai do të huazohet sërish ose do të shitet nga Levante, që e bleu nga Legia e Varshavës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë