Komunitet

Covid-19, në vendet që lehtësuan kufizimet u shtuan rastet e reja

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përsëritur thirrjet për kujdes me lehtësimin e masave kufizuese anti-Covid19. Kreu i këtij institucioni ndërkombëtar tha se përgjatë fundjavës që lamë pas u vu re një tendencë rritjeje e rasteve të reja në vendet që lehtësuan këto masa.

Në daljen e radhës për media, Tedros Adhanom Ghebreyesus solli si shembuj Korenë e Jugut, Gjermaninë dhe Uhanin në Kinë për të ilustruar idenë e tij për kujdes me hapjen dhe rikthimin në normalitet.

“Javën e kaluar disa vende vendosën heqjen e masave kufizuese, të tjera lehtësimin e tyre. Gjatë fundjavës morëm disa sinjale për sfidat që mund të kemi përpara. Në Korenë e Jugut baret dhe klubet e natës u mbyllën pasi u konfirmua një rast që kishte patur mjaft kontakte. Në Uhan të Kinës pati një rritje të rasteve të reja që prej heqjes së kufizimeve dhe po ashtu edhe Gjermania raportoi rritje të rasteve që prej lehtësimit të masave kufizuese”, deklaroi Adhanom.

Kreu i OBSh-së thotë se që të trija këto vende janë në gjendje që ta përballojnë situatën, por ngre pikëpyetje nëse ka ardhur koha që të mendohet vërtet për heqjen e kufizimeve.

“Çdo vend duhet t’u përgjigjet tri pyetjeve para se të vendosë për masat kufizuese, heqjen apo mbajtjen e tyre në fuqi. Së pari, a e kanë epideminë nën kontroll? Së dyti, a është sistemi i tyre shëndetësor në gjendje që të përballojë një rilindje të rasteve të reja që mund të pasojë lehtësimi i masave kufizuese? Dhe së treti, a është shërbimi shëndetësor publik në gjendje që të zbulojë dhe identifikojë dhe menaxhojë kontaktet e rasteve të konfirmuara?”, deklaroi ai.

Adhanom përsëriti gjithashtu se deri në daljen e një vaksine, masat kufizuese mbeten mbrojtja më e mirë për qytetarët. Në lidhje me hapjen e shkollave, kreu i OBSh kërkoi që vendet të mos nxitohen.

“Së pari, na duhet më shumë kohë që të studiojmë dhe kuptojmë mënyrën e transmetimit dhe pasojat e virusit tek fëmijët. Së dyti, duhet të merret parasysh vendndodhja e shkollave. Nëse ato janë në zona të banuara rreziku për përhapjen e infeksionit rritet me disafish. Së treti, duhet patur parasysh aftësia për të vendosur dhe respektuar masat mbrojtëse brenda ambienteve shkollore”, tha kreu i OBSh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë