Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar sot se globi mund të përballet me një emergjencë globale ushqimore dhe krizë urie në të ardhmen, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Sistemet tona të ushqimit janë duke dështuar për shkak të izolimit dhe pasojat ekonomike të Covid-19 i kanë përkeqësuar gjërat”, deklaroi Guterres. Shefi i OKB paralajmëron se rreth 49 milionë persona mund të përballen me varfëri ekstreme këtë vit për shkak të pandemisë.
“Nëse nuk merren hapa të menjëhershëm, është qartë se do të ketë një emergjencë globale për furnizimin ushqimore në një të ardhme të afërt, e cila mund të ketë ndikim afatgjatë në qindra miliona fëmijë dhe të rritur”, ka thënë ai.
Banka Botërore ka vlerësuar më 8 qershor se 71 milionë deri në 100 milionë njerëz do të përballen me varfëri ekstreme për shkak të pandemisë. Guterres ka bërë thirrje për mbrojtje më të mirë të punëtorëve në sektorin e ushqimit, për më shumë mbështetje për prodhuesit e ushqimit dhe për shmangie të pengesave në zinxhirin e transportit, në mënyrë që të dërgohet ndihma humanitare tek ata që kanë nevojë.
Ky është paralajmërimi i dytë i OKB-së për krizë urie, brenda dy muajsh. David Beasley, kreu i Programit Botëror të Ushqimit (WFP), deklaroi po ashtu në maj se veprimi urgjent ishte i nevojshëm për të shmangur një katastrofë. Një raport vlerëson se numri i personave që vuajnë nga uria mund të shkojë nga 135 milion në më shumë se 250 milion.
Shefi i ËFP, i cili sapo është rikuperuar nga Covid-19, e cilësoi pandeminë si katastrofën më të keqe humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore. Në një intervistë, ai gjithashtu shprehu frikë se 30 milion njerëz, dhe ndoshta më shumë, mund të vdisnin brenda disa muajsh nëse OKB nuk siguron më shumë fonde dhe ushqim.

Ekonomisti i vjetër i WFP, Arif Husain, tha se ndikimi ekonomik i pandemisë ishte potencialisht katastrofik për miliona familje që varen nga një rrogë. “Miliona njerëz që fitojnë vetëm një pagë rrezikojnë të vuajnë nga uria,” tha ai në një deklaratë.
Raporti i katërt vjetor global mbi krizat ushqimore vlerëson se vendet më të rrezikuara përfshijnë Jemenin, Republikën Demokratike të Kongos, Afganistanin, Venezuelën, Etiopinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Nigerinë dhe Haitin. Në Sudanin e Jugut, 61% e popullatës u prek nga kriza ushqimore vitin e kaluar.
Edhe para pandemisë, pjesë të Afrikës Lindore dhe Azisë së Jugut tashmë ishin përballur me mungesa të mëdha ushqimore të shkaktuara nga thatësira. Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB gjatë një video-konference, Beasley tha se bota duhej të “vepronte me mençuri dhe të vepronte shpejt”.
“Ne mund të përballemi me një krizë ushqimore të përmasave biblike brenda disa muajve,” tha ai. “E vërteta është se ne nuk kemi kohë nëse nuk veprojmë shpejt. Unë besoj se me ekspertizën tonë dhe partneritetet tona, ne mund të bashkojmë ekipet dhe programet e nevojshme për t’u siguruar që pandemia e Covid-19 të mos kthehet në një katastrofë njerëzore dhe ushqimore.”
Beasley thotë se OKB nuk po e kthen shpinën nga më të prekurit, por paralajmëroi që kaosi nuk lidhej vetëm me krizën shëndetësore.
“Një mënyrë ose tjetër, bota do t’i vuajë pasojat. Më mirë të punojmë së bashku, mbi bazën e fakteve, jo nga frika”, tha ai. Në fillim të këtij muaji, OKB tha se ishte vendosur të përgjysmonte ndihmat për pjesët e Jemenit të shkatërruar nga lufta të kontrolluara nga rebelët Houthi për shkak të një krize fondesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje