Bota

Covid-19, Peruja e para në botë për vdekjet për milion banorë

Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, në Peru është dyfishuar bilanci i viktimave nga Covid 19, duke u bërë vendi me nivelin më të lartë të fataliteteve për frymë në botë, i ndjekur nga Hungaria.

Një lajm që vjen pesë ditë pas balotazhit për zgjedhjet presidenciale midis kandidatit të majtë, Pedro Castillo dhe kandidates së krahut të djathtë, Keiko Fujimori, vajza e ish-presidentit.

Qeveria peruane ka parë një rritje të numrit të të vdekurve nga Covid, në fakt më shumë se dyfishi, nga 69,342 vdekje, në 180,764. Dhe në këtë mënyrë, ai është kthyer në vendin me nivelin më të lartë të vdekshmërisë në botë, një rekord i trishtë që ishte regjistruar në gusht të vitit të kaluar, gjatë valës së parë të infeksioneve.

Konkretisht, niveli i vdekjeve në vendin e Amerikës së Jugut, qëndroi në 551 vdekje për 100,000 banorë, duke tejkaluar kështu vende si Hungaria dhe Republika Çeke, të cilat udhëhoqën renditjen botërore në fillim të majit, me norma prej 304 dhe 283 vdekje respektivisht për 100 mijë banorë.

Për të sqaruar ndikimin e vërtetë të pandemisë, ekzekutivi peruan kishte krijuar në prill një grup teknik pune të përbërë nga shoqëria civile dhe zyrtarë të sektorit shëndetësor, i cili përdori kritere të reja për identifikimin e rasteve dhe krijoi një mjet të ri për numërimin.

Ministri i Shëndetësisë, Oscar Ugarte, megjithatë, këmbënguli se raporti përfundimtar “nuk thotë se ka më shumë vdekje sesa kishte”, por që “një numër i konsiderueshëm i vdekjeve nuk ishin identifikuar deri më tani të shkaktuara nga Covid 19”.

Fushata e vaksinimit mund të përshpejtohet këtë javë falë mbërritjes së më shumë se 2.7 milionë vaksinave, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Ugarte. Qeveria ka bërë marrëveshje me kompanitë Pfizer, AstraZeneca dhe Sinopharm.

Sidoqoftë, dyshimet dhe kritikat mbeten. Presidenti i federatës mjekësore peruane, Godofredo Talavera, shpjegoi për BBC se rritja e numrit të të vdekurve nuk është një surprizë.

“Ne besojmë se kjo vjen për shkak se sistemi ynë i kujdesit shëndetësor nuk është në gjendje të kujdeset për pacientët. Nuk ka pasur mbështetje të qeverisë për furnizimin me oksigjen dhe sistemimin e kujdesit intensiv. Për momentin nuk kemi vaksina të mjaftueshme. Linja e parë e trajtimit nuk është riaktivizuar”.

Muajin e shkuar, Mjekët Pa Kufij, të pranishëm në vend, paralajmëruan për situatën e vështirë. “Personeli mjekësor po punon përtej mundësive të tyre, por burimet për kujdes intensiv nuk janë të mjaftueshme”, – shpjegoi Jean-Baptiste Marion, shefi i misionit të MSF në Peru.

Një problem i rëndësishëm i vëzhguar nga ekipet e MSF, është hezitimi i njerëzve për të kërkuar ndihmë kur shfaqen simptomat e para, duke zgjedhur zgjidhje private (jo gjithmonë në gjendje të ofrojnë nivelin e duhur të ndihmës) ose madje duke preferuar vetë-mjekimin.

“Pasojat për sistemin shëndetësor janë shkatërruese: njerëzit në shumë qytete mbajnë radhë natën dhe flenë jashtë për të mbushur cilindrat e tyre të oksigjenit nga disa rezervuarë që funksionojnë, duke shpresuar të kujdesen për të afërmit e tyre në këtë mënyrë në shtëpi”, – shpjegoi përsëri Marion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë