Politike

Covid, ekspertët në mes të sherrit Rama-Basha

Komiteti Teknik i Ekspertëve, që sipas Kryeministrit Edi Rama qëndron pas çdo vendimi të marrë prej tij për menaxhimin e situatës së pandemisë, është vënë sërish në mes të akuzave politike mes kreut të Qeverisë dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kryeministri Edi Rama publikoi një video të shkurtër në rrjetet sociale, ku njofton përbërjen, arsimimin dhe kontributin e anëtarëve të Komitetit të Teknik në shëndetësi. Rama thotë se anëtarët e Komiteti janë Mira Rakacolli, Najada Çomo, Andi Koraqi, Tritan Kalo, Silva Bino, Albana Fico, Skënder Brataj dhe Gjeorgjina Kuli. Duke kujtuar se një pjesë e tyre janë infektuar dhe fatmirësisht e kanë fituar betejën me Covid, Kryeministri nuk lë pa thumbuar kryeopozitarin Basha.

“Këta njerëz nuk i njeh vetëm Lulzim Basha, të cilit sëmundjen ngjitëse të shpifjes nuk mund t’ja shërojë asnjëri prej këtyre profesorëve të nderuar të cilët ai i konsideron si fasadë dhe të pavërtetë”, thotë Rama.

Basha reagoi përmes Twitter-it. Ai shmang komentet mbi ekspertët e përmendur nga Rama, por është i bindur se situata ka dalë jashtë kontrollit dhe për këtë përgjegjësi i vetëm, sipas kreut të PD-së është Edi Rama.

“Rama ka humbur çdo kontroll mbi pandeminë. Kemi testimet më të ulëta në Europë, numrin më të ulët të mjekëve dhe spitalet në kolaps vetëm sepse ai nuk heq dorë nga vjedhja me inceneratorë e koncesione.Pasi shkatërroi ekonominë tani ai po shkatërron jetën dhe shëndetin e njerëzve”, shkruan Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë