Greqia tha të martën se do t’i bënte të detyrueshme vaksinimet kundër COVID-19 për njerëzit e moshës 60 vjeç e lart, një hap drastik për vendin që po përballet me një rritje të re të rasteve të koronavirusit.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, autoritetet thanë se do të vendosnin një gjobë prej 100 eurosh (114 dollarë) për çdo individ mbi moshën 60 vjeç që nuk ishte i vaksinuar. Masa do të zbatohet çdo muaj nga 16 janari i vitit 2022 e në vazhdim.
Kyriakos Mitsotakis, kryeministri grek, tha se ai e pati të vështirë të marrë një vendim të tillë, por ishte e nevojshme për të mbrojtur më shumë se gjysmë milioni grekë të moshuar që nuk kishin arritur të merrnin dozën e radhës. “Është çmimi që duhet paguar për shëndetin,” tha ai.
Rreth 63% e popullsisë rreth prej 11 milionë banorësh të Greqisë është plotësisht e vaksinuar. Ndërsa shifrat e vaksinimeve janë rritur në javët e fundit, të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se ka 520,000 njerëz mbi moshën 60 vjeç që nuk kanë arritur të marrin dozën e parë.
“Ne jemi duke i fokusuar përpjekjet tona në mbrojtjen e bashkëqytetarëve tanë dhe për këtë arsye vaksinimi i tyre do të jetë i detyrueshëm tani e tutje,” tha Mitsotakis në një mbledhje të kabinetit.
“Grekët mbi moshën 60 vjeç që nuk janë vaksinuar të gjithë, ndaj duhet, deri më 16 janar, të rezervojnë një takim për dozën e tyre të parë, ose përndryshe do të përballen me një gjobë administrative prej 100 euro çdo muaj”, – i tha Mitsotakis kabinetit të tij.
Ai nuk saktësoi se si do të zbatohej kjo masë. Një gjobë prej 100 euro është një pjesë e madhe e pensionit mesatar mujor prej 730 eurosh.
“(Vendimi) më torturoi, por ndiej një përgjegjësi të rëndë duke qëndruar pranë atyre më të cenuarve, edhe nëse kjo mund t’i shkaktojë atyre pakënaqësi”, – vijoi kreu i qeverisë.
Greqia këtë muaj ndaloi personat e pavaksinuar në hapësirat e brendshme, përfshirë restorantet, kinematë, muzetë dhe palestrat, pasi rastet ditore të COVID-19 arritën në nivele rekord. Greqia ka regjistruar 931,183 infeksione dhe 18,067 vdekje që nga fillimi i pandemisë vitin e kaluar.
Edhe në Austri, nga 1 shkurti 2022, njerëzit që këmbëngulin të mos vaksinohen rrezikojnë të paguajnë një gjobë deri në 7200 euro.
Kjo është ajo që parashikohet në draftin paraprak të projektligjit të detyrimit të vaksinimit që do të shpallet më 6 dhjetor nga qeveria.
Dënimi i parë për “no vax” austriakë, mund të jetë i barabartë me 3600 euro, një shumë që më pas do të dyfishohet nëse mospërputhja vazhdon.
Siç saktësoi ministrja për Çështjet Evropiane dhe Kushtetuese, Karoline Edtstad, shumat mund të korrigjohen, pasi nuk përjashtohet mundësia e vendosjes së specifikimit për gjendjen financiare të individit.
Detyrimi i vaksinimit duhet të zbatohet për personat që banojnë në territorin austriak dhe natyra e detyrueshme mund të fillojë që në moshën 14-vjeçare.
Në fakt, nga kjo moshë, nuk do të kërkohet më pëlqimi i prindërve për t’iu nënshtruar vaksinimit. Personat që nuk mund të imunizohen për arsye mjekësore do të përjashtohen nga vaksinimi i detyrueshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje