Në Gjermani është ngritur alarmi për një përhapje të madhe të rasteve të reja me koronavirus. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti ‘Robert Koch’, në 24 orët e fundit rezultuan pozitivë 39.676 persona, një javë më parë ishin 20.676 dhe 236 humbën jetën, për një total prej 96.963 personash.
Ajo që duket gjithashtu shqetësuese, është incidenca javore për 100,000 banorë, e cila u rrit në 232.1, vlera e tretë rekord radhazi në tre ditë (një javë më parë ishte 146.6).
Spitalet kanë filluar të vuajnë mbingarkesën dhe disa janë detyruar të transferojnë pacientë në struktura në rajone të tjera.
Virologu i ‘Charité’ në Berlin, Christian Drosten, flet për “një situatë të vërtetë emergjente” dhe është i bindur se do të jetë e nevojshme “të reduktohen sërish kontaktet”. Drosten ka frikë se nëse nuk ndërmerren veprime, mund të ketë edhe 100,000 të tjerë të vdekur.
Por tre partitë e angazhuara për formimin e koalicionit qeverisës (SPD, Të Gjelbrit dhe Liberalët), kanë bërë të ditur tashmë se nuk do ta shtrijnë gjendjen e jashtëzakonshme në nivel kombëtar, që do të skadojë në fund të nëntorit. Nga ana tjetër, po studiohet zgjatja deri në muajin mars të masave të tjera, si detyrimi për mbajtjen e maskës dhe distancimi social në hapësirat publike. Këto masa pritet të prezantohen të enjten në Bundestag dhe të votohen javën e ardhshme.
Zëdhënësi i Angela Merkelit, Steffen Seibert, fton të ndiqet shembulli i Italisë, Portugalisë dhe Spanjës: “Përqindja e personave të vaksinuar në Gjermani nuk është e mjaftueshme për të kundërshtuar rritjen e infeksioneve me Covid. Nëse do të kishim 10-15% më shumë njerëz të vaksinuar, do të kishim një incidencë më të ulët të virusit”.
Deri më sot, vetëm 67% e popullsisë është imunizuar, por, sipas një sondazhi të “Infratest-Map”, sot 57% e gjermanëve, për herë të parë, janë në favor të futjes së vaksinimit të detyrueshëm.
“Kancelarja është e mendimit se një takim midis qeverisë qendrore dhe rajoneve, është i nevojshëm sa më shpejt që të jetë e mundur për të koordinuar politikat anti-Covid”, shtoi Seibert, duke shpjeguar se Merkel është në kontakt me të gjithë pjesëmarrësit për “një takim të shpejtë”.
Ndërkohë, Komiteti i Përhershëm i Vaksinimeve, “Stiko”, ka rekomanduar që personat e moshës 30 vjeç e lart, duhet të vaksinohen kundër Covid vetëm duke përdorur vaksinën Pfizer/BioNTech.
Kjo pasi, sipas analizave të organit këshillimor gjerman, produkti në fjalë ka treguar një incidencë më të ulët të inflamacionit të zemrës në këtë grupmoshë sesa vaksina tjetër ‘mRna’, ajo e “Moderna”-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje