Një rënie e rasteve të reja me Covid që ka befasuar edhe vetë ekspertët. Në 24 orët e fundit, 23.511 infeksione të reja u regjistruan në Britaninë e Madhe. Bëhet fjalë për një ulje prej rreth 15,000 krahasuar me javën e kaluar, kur u zbuluan 39,995 raste të reja.
Një rënie që shfaqet edhe më e dukshme, kur krahasohet me të dhënat e 17 korrikut, disa ditë para përfundimit të kufizimeve për kontrollin e virusit, kur u verifikuan 54,654 raste të reja.
Nëse është shumë herët për të folur për trendin, është dita e shtatë radhazi në rënie për sa i takon kurbës së infektimit. Nuk kishte ndodhur që nga nëntori i vitit 2020, gjatë ditëve të para të bllokimit të dytë.
Befasia e ekspertëve
Të dhënat britanike befasojnë vetë epidemiologët. Pse një ulje kaq e shpejtë dhe e qartë, ndër të tjera pikërisht në afërsi të rihapjes së plotë dhe përfundimit të kufizimeve në Angli, si dhe në pjesën më të madhe të vendit?
Nëse ka pasur një zvogëlim të tamponëve (në këtë moment bëhen rreth 792,000 çdo ditë, rreth 6.5 milionë janë kryer në javën e fundit, një rënie prej 10.1%), kjo nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar rënien e rasteve, të cilat po bien rreth 21.5% çdo javë. Si ka mundësi?
Rritja e shtrimeve në spital dhe vdekjeve
“Doëning Street” (zyra e qeverisë), ka marrë një qëndrim të kujdesshëm. “Të dhënat janë inkurajuese”, theksoi zëdhënësi i kryeministrit, “por ne nuk kemi dalë akoma nga tuneli”. Ndikimi i “Freedom Day”, i cili hyri në fuqi në 19 korrik, është ende për t’u parë, tha ai.
Nëse në këto ditë, ekzekutivi po ndryshon rregullat e izolimit për ata që bien në kontakt me një rast pozitiv – ata që punojnë në sektorë, si shërbimet e emergjencës, sistemi shëndetësor dhe transporti, janë vaksinuar dhe janë me tamponë negativ, nuk ka më detyrime për të përmbushur karantinën – ka disa elementë që shqetësojnë qeverinë, si dhe shkencëtarët.
Në fakt, pranimet vazhdojnë të rriten. Në Angli, pacientët Covid në spital kanë kapërcyer pragun e 5,000 personave për herë të parë që nga marsi i kaluar, ndërsa në të gjithë vendin shtrimet javore të spitalit kanë arritur në 5,496, një rritje prej rreth 26% krahasuar me javën e kaluar. Vdekjet janë gjithashtu në rritje: 445 në shtatë ditët e fundit, të pakta, por gjithsesi 50% më shumë se javën e kaluar.
Hipotezat për të shpjeguar rënien e rasteve të reja
Çfarë ndodh atëherë? Për disa ekspertë, fundi i vitit shkollor kontribuoi në rënien e rasteve. Në institucionet e vendit, fëmijët iu nënshtrohen të paktën dy herë në javë.
Midis popullatës shkollore ka një përqindje të lartë të pozitivitetit, edhe pse me një incidencë shumë të ulët e sëmundjeve të rënda.
“Me mbarimin e shkollave, udhëtimet me makinë së bashku, festat e pasdites, biseda midis të rriturve para shtëpive, përfunduan”, – specifikoi një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.
Është e mundur që fundi i kampionatit evropian të futbollit të ketë përshpejtuar rënien: ndeshjet kishin çuar në grumbullime në vendet e mbyllura dhe një rritje të transmetimeve.
Së fundmi, efekti i imunitetit të tufës duhet të merret parasysh: 88.1% e popullatës së rritur morën dozën e parë të vaksinës, 70.5% përfunduan procesin e vaksinimit.
Sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare, 90% e popullatës së rritur – duke përfshirë të kuruar dhe të vaksinuar – ka antitrupa ndaj Covid, por në përgjithësi, nëse llogariten edhe të miturit, vetëm gjysma e popullsisë është vaksinuar.
Sipas Rowland Kao, një epidemiolog në Universitetin e Edinburgut, natyra e rënies sugjeron një lidhje me ngjarjet e vetme sesa imunitetin.
“Është shumë e qartë, – shpjegoi ai, – më shumë e ngjashme me atë që ndodh kur vendoset një bllokim dhe ndërpriten kontaktet shoqërore, si dhe transmetimet. Rënia për shkak të imunitetit është përgjithësisht më graduale”. Mund të jetë, thekson Kao, që të jetë një fenomen i përkohshëm, para se të merret një drejtim më i përhershëm.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje