Bota

Covid, SHBA rihap kufijtë për të vaksinuarit pas 20 muajsh

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr nga kjo e hënë ndalimin e hyrjes në vend për një listë të gjatë shtetesh, duke përfshirë Meksikën, Kanadanë dhe pjesën më të madhe të Evropës, duke lejuar turistët të kthehen për të udhëtuar në SHBA dhe anëtarët e familjeve të ribashkohen pas një viti e gjysmë për shkak të pandemisë.

Nga e hëna, më 8 nëntor, SHBA do të mirëpresë udhëtarët e vaksinuar me dy doza, duke hequr një kufizim që daton që nga administrata e Donald Trumpit.

Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj do të duhet të tregojnë prova të vaksinimit përpara se të fluturojnë, të marrin një rezultat negativ të testit Covid-19 brenda tre ditëve nga udhëtimi dhe të dorëzojnë informacionin e tyre të kontaktit. Ata nuk janë të detyruar të karantinohen.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore japoneze nuk raportuan dje asnjë vdekje nga Covid, për herë të parë që nga 2 gushti i vitit të kaluar, 15 muaj më parë. Njoftimi erdhi pasi vendi lehtëson kufizimet për të huajt: duke filluar nga sot, ata që hyjnë në Japoni për një vizitë të shkurtër biznesi nuk do të duhet të respektojnë një karantinë dhjetë-ditore, por vetëm tre.

E njëjta gjë do të vlejë edhe për banorët që kthehen nga udhëtimet e punës jashtë vendit. Sipas të dhënave të ofruara nga qeveria e Tokios, 73% e popullsisë prej 126 milionë banorësh është plotësisht e imunizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë